Ministri i Tregtisë i Türkiyes, Ömer Bolat, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, vlerësoi rajonin e Ballkanit si një nga më të rëndësishmit për investitorët turq.
Bolat mori pjesë në Forumin e Biznesit Maqedoni e Veriut-Türkiye, organizuar nga Oda e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut dhe Këshilli i Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK) të Türkiyes dhe nën kujdesin e Ministrisë së Tregtisë së Türkiyes dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Të pranishëm në forum ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, afaristë dhe mysafirë të tjerë.
Në fjalën e tij në forum, ministri Bolat i cilësoi si “të fuqishme dhe të qëndrueshme” marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai tha se lidhjett e forta midis dy vendeve, që burojnë nga historia, viteve të fundit kanë shëhuar përparim të madh në fusha si politika, diplomacia, mbrojtja dhe ekonomia.
“Ballkani gjithnjë ka rëndësi të madhe për Türkiyen. Sepse në rrugën që lidh Evropën me Türkiyen dhe Azinë, gjeografia e Ballkanit ka një rëndësi të madhe. Ballkani është një kalim i rëndësishëm në gjeografinë që lidh Türkiyen me Evropën Qendrore dhe Perëndimore”, tha Bolat.
Ai po ashtu theksoi se paqja dhe stabiliteti në Ballkan janë të një rëndësie të veçantë për vendin e tij, duke shtuar se një nga qëllimet e rëndësishme të politikës së Jashtme të Türkiyes është zhvillimi i vendeve të Ballkanit në paqe dhe stabilitet.
Duke folur për tregtinë me vendet e Ballkanit, Bolat tha se në vitin 2023, është arritur një tregti e jashtme prej afro 34 miliardë dollarësh, prej të cilave 22,5 miliardë dollarë kanë qenë eksporte të Türkiyes, ndërsa rreth 12 miliardë dollarë importe nga vendet ballkanike.
“Türkiye renditet ndër të parat si vendet me investime direkte më të mëdha në Maqedoninë e Veriut”
“Në fushën e investimeve ndërkombërtare, rajoni i Ballkanit ka një rëndësi të madhe për sipërmarrësit turq. Në të gjitha vendet e Ballkanit gjenden investitorë turq dhe gjithnjë i rrisin aktivitetet e tyre”, theksoi ai.
“Edhe Maqedonia e Veriut, qoftë në tregtinë e jashtme, qoftë në fushën e investimeve, përbën pothuajse një bazë nga pikëpamja e Türkiyes. Dua të theksoj me kënaqësi se vëllimi tregtar midis dy vendeve deri në fund të këtij viti është afro 900 milionë dollarë.”, tha Bolat, duke shtuar se në takimin e tij me ministrin Mucunksi, është vendosur synimi që vitin e ardhshëm, kjo shifër të arrijë në 1 miliard dollarë.
Ai tha se edhe në takimin produktiv që ka pasur me kryeministrin Hristijan Mickoski, kanë riafirmuar dakordësinë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në çdo fushë, si tregtia, investimet, infrastruktura, energjia, turizmi dhe industria e mbrojtjes.
Bolat po ashtu nënvizoi rëndësinë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të midis dy vendeve, duke shtuar se me ministrin Mucunski janë dakord që ekipet të fillojnë punën për përditësimin e saj për të përfshirë fusha të reja.
Duke folur për investimet turke në vend, Bolat deklaroi: “Mbi 2.000 biznesmenë turq, të shkallës së vogël, të mesme dhe të madhe, në fusha si industria, sektori i shërbimeve, bankat, turizmi, arsimi dhe shëndetësia. Me investime në vlerë mbi 2 miliardë dollarë, Türkiye renditet ndër të parat si vendet me investime direkte më të mëdha në Maqedoninë e Veriut”.
Ai shtoi se këto investime janë katalizator i marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve.
Ministri turk tha se në fushën e turizmit, Türkiye rendiet e para me më së shumti turistë në Maqedoninë e Veriut, me rreth 261 mijë turistë që kanë vizituar vendin këtë vit.
Në lidhje me projektet në fushën e ndërtimit, ai tha se firmat turke kanë ofruar mbështetje të madhe me projekte në zhvillimin infrastrukturor të vendit, me investime në fushën e energjisë, transportit rrugor dhe hekurudhor dhe tunele.
“Me vlerë prej afro 2 miliardë dollarësh, ata kanë përfunduar 45 projekte. Edhe në periudhën e ardhshme, firmat turke të ndërtimit, me përvojën e tyre në nivel botëror, janë të gatshme të ofrojnë kontribute, ndërsa ne do t’i mbështesim në këtë aspekt”, theksoi Bolat.
Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, qoftë nëpërmjet furnizimeve, apo edhe prodhimit të përbashkët.
Ndryshe, ministri Bolat, në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, sot u takua me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ndërsa më pas edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Bolat gjatë kontakteve të tij shoqërohet nga ambasadori i Türkiyes në Shkup, Ulusoy, dhe një delegacion shoqërues.