Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka marrë pjesë në konferencën me temë "Njerëzimi në udhëkryq: Sistemet autonome të armëve dhe sfida e rregullimit", organizuar në Vjenë nga ministri Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se konferenca pati në fokus nevojën për rregullim në lidhje me rritjen e autonomisë së armëve përmes përdorimit të inteligjencës artificiale.
Sipas njoftimit, ministri Hasani vlerësoi angazhimin e Austrisë për të diskutuar ecurinë lidhur me këtë temë kaq aktuale dhe sfidat që ajo përcjell.
Gjithashtu, theksohet se kryediplomati shqiptar nënvizoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, mbështet përdorimin e sistemit autonom të armëve, vetëm mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.
"Përdorimi i sistemeve duhet bërë vetëm bazuar në normat, parimet, ligjet ndërkombëtare dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Besimi është kyç në shfrytëzimin e sistemeve autonome. NATO dhe vendet aleate duhet të ndërtojnë nivele të larta besimi si në teknologji, operacionalitet mbi të gjitha besim në publik", ka theksuar ministri Hasani.
Sipas ministrisë, Shqipëria në vitin 2023 ka mbështetur dhe bashkësponsorizuar Rezolutën 78/241 "Për sistemin autonom të armëve vdekjeprurëse", të propozuar nga Austria dhe të miratuar gjatë Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Rezoluta thekson rëndësinë e përcaktimit të qartë të kuadrit rregullator të përdorimit të tyre, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, mes aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë.