Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, realizoi takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili qëndron në vizitë zyrtare në Shkup.
Në konferencën e përbashkët për media, dy ministrat thanë se integrimet evropiane ishin një nga temat kryesore të diskutuara në takim.
"Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shumë më tepër se fqinj të mirë. Jemi vende mike me marrëdhënie të thella reciproke, me mbështetje jashtëzakonisht të lartë reciproke, partnerë dhe aleatë të cilët vazhdojnë së bashku drejt ambicieve tona evropiane për t'i parë të dyja vendet tona anëtare të plota të BE-së", tha Osmani.
Ai rikujtoi se dy vendet kanë arritur 100 për qind përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-në, duke shtuar se BE duhet të forcojë praninë e saj në rajon dhe se integrimi është edhe çështje e sigurisë.
"Në sfidat moderne të kërcënimeve hibride të ndikimeve të jashtme, por edhe një luftë aktive në tokën evropiane, integrimi i Ballkanit Perëndimor në Evropë është gjithashtu çështje e politikës së sigurisë", tha Osmani.
Ministri Hasani u shpreh se ka zhvilluar bisedë "të shkëlqyer dhe konstruktive". Ai u shpreh se politika e jashtme e dy vendeve duhet të jetë në dispozicion të agjendës së përbashkët për një rajon në paqe, siguri dhe stabilitet, si dhe me më shumë përafrim drejt BE-së.
"Të dyja vendet tona kanë treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt BE-së. Të dyja vendet tona kanë arritur rezultate mbresëlënëse në reformat modernizuese dhe evropianizuese, dhe ne sapo kemi përfunduar me sukses procesin e skriningut dhe jemi në pritje të hedhjes së hapave të mëtejshme në një proces për të cilin të dyja vendet tona kanë bërë shumë sakrifica dhe gjatë të cilit jemi përballur me ngërçe dhe pengesa jo të lehta", tha Hasani.
Ai u shpreh se Shqipëria do të vijojë të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë edhe proceset e sivjetme zgjedhore.
"Ne urojmë që ky proces të ecë mbarë, por mbi të gjitha urojmë që ky proces dhe rezultati i tij të mos sjellë asnjë ndryshim në përkushtimin ndaj perspektivës së përbashkët evropiane", tha Hasani.
Ai përshëndeti "rolin e jashtëzakonshëm" të faktorit shqiptar për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, si dhe për ruajtjen e orientimit euroatlantik të vendit.