Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka pritur sot në Tiranë ministren e Punëve të Jashtme, të Arsimit dhe të Sportit të Lihtenshtajnit, Dominique Hasler.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se në takim u theksuan marrëdhëniet pozitive mes Shqipërisë dhe Lihtenshtajnit përgjatë tri dekadave të fundit.
Gjithashtu, thuhet se palët ranë dakord për të intensifikuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, si dhe për të eksploruar fusha të reja "që ngrenë marrëdhëniet dypalëshe në nivele të reja dhe më të larta".
"Bazuar në potencialin e dy vendeve tona, me miken time Dominique dakorduam rreth nevojës për intensifikuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar, si dhe rritjen e investimeve. Ne inkurajojmë prezencën në Shqipëri të investitorëve nga Lihtenshtajni në sektorë të ndryshëm si energjia e rinovueshme, infrastruktura, sistemi bankar, ndërmarrjet e vogla e të mesme", është shprehur ministri Hasani.
Në njoftim theksohet se ndër të tjera Hasani nënvizoi gatishmërinë e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin me Lihtenshtajnin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, bashkëpunimin në forumet dhe organizatat ndërkombëtare dhe çështjet e integrimit evropian.