Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, miratoi sot ndryshimet ligjore që i hapin rrugën dhënies së pagave të prapambetura për punonjësit dhe ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik Poliçan.
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Enkelejd Joti, gjatë punimeve në Komisionin e Sigurisë, tha se nga këto ndryshime ligjore përfitojnë katër punonjës aktualë dhe 127 ish-punonjës.
Po ashtu, Joti u bëri me dije deputetëve se Ministria e Mbrojtjes ka në fokus rivitalizimin e industrisë ushtarake dhe për këtë është hedhur për konsultim publik dhe pr/ligji përkatës.
“Kombinati Mekanik i Poliçanit rezulton me humbje. Thellimi i humbjeve ka qenë nga viti në vit. Mungesa e aftësisë paguese tregon se kjo ndërmarrje nuk është më rentabël. Ministria e Mbrojtjes për zgjidhjen e kësaj problematike ka propozuar ligjin për ‘Për financimin e detyrimit të prapambetur të pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan’”, tha Joti.
Qëllimi i ligjit siç tha Joti është saktësimi i procedurave për trajtimin financiar për punonjësit dhe ish-punonjësit e kombinatit mekanik Poliçan sipas listës pagesave për vitet janar 2017-dhjetor 2023, duke përjashtuar gjobat dhe kamatvonesat e krijuara në sistem nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
“Lidhur me te ardhmen e kombinatit, Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë nismë ligjore për rivitalizimin e uzinave ushtarake. Nisma ka qëllim krijimin e një shoqërie shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, si dhe përcaktimin e rregullave për funksionimin e saj. Hartimi i këtij pr.ligji është bërë nga Ministria e Mbrojtjes, shtabi i FA dhe drejtuesit e uzinave ushtarake. Është vlerësuar dhe një raport fizibilitetit nga agjencia e prokurimeve të NATO-s. Nisma është hedhur për konsultim publik. Përmes kësaj nisme do të kemi një qasje të qartë ndaj ndërmarrjeve ushtarake”, përfundoi Joti.
Pas diskutimeve, Komisioni për Sigurinë Kombëtare i dha dritën jeshile nismës, e cila pritet të jetë pjesë e rendit të ditës të enjten në Kuvend.