Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë i Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, është takuar sot në Berlin me Ministren Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Siç njofton MPJ-ja maqedonase, në fokus të bisedimeve në takim ishin marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe partneriteti solid në 30 vitet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.
Në takim u diskutua gjithashtu mbështetja e Gjermanisë për rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe tema të tjera aktuale nga perspektiva e sigurisë rajonale dhe evropiane.
Ministri Mucunski shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për progresin e arritur deri më tani në rrugën drejt BE-së, si dhe për përkushtimin e Gjermanisë për përshpejtimin e procesit të përgjithshëm të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit.
"Gjermania është lider i perspektivës evropiane të vendit tonë dhe të gjithë rajonit, ndërsa fokusi i fortë në zbatimin e reformave mbetet në qendër të qasjes së qeverisë së re", theksoi Mucunski.
Ai gjithashtu theksoi se Gjermania është një partner kyç politik dhe ekonomik i Maqedonisë së Veriut dhe një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë në vitet e fundit.
Në takim dhe në kuadër të konferencës për media, ministri Mucunski shprehu bindjen se zhbllokimi i procesit të integrimit evropian me mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare jo vetëm që do të forcojë agjendën e reformave evropiane në rajon, por do ta bëjë rajonin më të qëndrueshëm ndaj ndikimeve nga vendet e treta.
Siç thuhet në njoftim, duke folur për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, ministrja gjermane Baerbock theksoi rëndësinë e një BE-je të bashkuar që nuk do të bllokohet nga shtetet anëtare individuale.
"Për ne si Gjermani, është veçanërisht e rëndësishme që të avancojmë në shumicën e kualifikuar dhe jo vetëm në vendimmarrje unanime, që do të thotë se në procesin e anëtarësimit mund të vendosim me shumicë dhe jo me vendimmarrje unanime", theksoi Baerbock në deklaratë.