Shqipëria dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar në Tiranë marrëveshjen për aktivitetet operacionale të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex).
Në një njoftim nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë thuhet se marrëveshja është nënshkruar për palën shqiptare nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ndërsa në emër të Bashkimit Evropian marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Migracionit dhe të Çështjeve të Brendshme në Komisionin Evropian, Johannes Luchner, dhe ambasadori i Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës të BE-së, Alvaro Renedo Zalba.
Sipas njoftimit, ministri Balla e konsideroi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të përmirësuar si dëshmia e radhës e “vullnetit të padiskutueshëm për të kontribuuar në sigurinë e përbashkët të hapësirës së zgjeruar evropiane”.
“Ambicia jonë nuk është të jemi thjesht përfitues nga mekanizmat komunitarë për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, por të marrim rolin e një vendi kontribuues për sigurinë në rajon e më gjerë. Marrëveshja e sotme e përmirësuar me Frontex-in hedh bazat e një bashkëpunimi edhe më cilësor edhe më të plotë me strukturat policore dhe në besojmë se nëpërmjet këtij operacioni të përbashkët, do të mund të adresojmë shumë herë më mirë çështjet e migracionit të parregullt drejt Shqipërisë”, deklaroi ministri Balla.
Ambasadori spanjoll ka deklaruar se marrëveshja do të ndihmojë në fuqizimin e bashkëpunimit me gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili sipas tij është një prioritet për BE-në dhe në veçanti për Presidencën spanjolle të BE-së.
Më tej, theksohet se Luchner ka deklaruar se operacionet e përbashkëta që vijojnë në Shqipëri që prej 2019 kanë sjellë rezultate vërtet shumë pozitive, sa i përket uljes së migracionit të parregullt e krimit ndërkufitar. Ai ka shtuar se nënshkrimi i marrëveshje është një dëshmi tjetër e fortë e përafrimit gjithnjë e më afër të Shqipërisë me BE-në.
“Migracioni është vërtetë një sfidë, por një sfidë ama, e cila trajtohet në mënyrën më të mundshme duke bashkëpunuar, duke punuar së bashku, duke vënë në zbatim një model të duhur të menaxhimit të kufirit, i cili bazohet te siguria, te dinjiteti, te fakti që ne të gjithë duhet të përpiqemi, që të japim mbrojtjen e duhur atyre që e meritojnë dhe që kanë nevojë për të”, është shprehur Luchner.
Kujtojmë se Shqipëria ka nënshkruar edhe para disa vitesh marrëveshje me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, që i mundësonte Frontex-it për të ndihmuar mbi trajtimin e emigracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar.
Disa ditë më parë, Këshilli i BE-së njoftoi se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ranë dakord për të nënshkruar marrëveshjen që lejon Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare të vendoset në Shqipëri.
Sipas BE-së, Frontex do të jetë në gjendje të ndihmojë Shqipërinë në menaxhimin e flukseve migratore, luftimin e imigracionit të paligjshëm dhe trajtimin e krimit ndërkufitar dhe se marrëveshja do të lejojë operacione të përbashkëta me organet ligjzbatuese shqiptare dhe vendosjen e ekipeve të menaxhimit të kufirit Frontex në Shqipëri.