Muzeu "Ron" në Shqipëri, koleksioni unik i mjeteve historike “Retro” / Photo: AA

Automjetet me status historik vazhdojnë të tërheqin vëmendjen në Shqipëri dhe të pasionuarit pas këtyre mjeteve kanë krijuar dhe ruajtur koleksione me vlera të rralla.

Arben Prrenjasi është një prej koleksionistëve më të njohur shqiptarë të mjeteve historike, i cili ka ideuar dhe krijuar Muzeun "Ron", i përbërë nga mjetet historike "Retro" dhe nga dokumente, fotografi dhe objekte të ndryshme që lidhen me historinë e automotorizimit shqiptar.

Me pasionin dhe këmbënguljen e tij, 57-vjeçari Prrenjasi, pas disa dekadash kërkime ka arritur të krijojë koleksionin e rrallë të mjeteve të vjetra ose siç njihen ndryshe "Retro", që janë përdorur në Shqipëri dhe dokumentacionin rreth tyre apo për shoferët.

Muzeu privat i cili ndodhet në Tiranë ka mbi 1 mijë objekte, ku përfshihen automjete të markave dhe kategorive të ndryshme si vetura, furgonë, minifurgonë, kamionë, traktorë, autobusë, zjarrfikëse, motoçikleta, biçikleta, por edhe targa origjinale, kaska, si dhe objekte, uniforma dhe dokumente që lidhen me mjetet dhe drejtuesit e tyre.

Automjeti më i vjetër në koleksionin e tij është Fiat 500 (Topolino), model i vitit 1953, ndërkohë spikasin edhe mjetet Gaz 51, Gaz 63, Gaz 69, Zis 150, Zuk, BJ, Fiat 125, Fiat 900, Mercedes Benz Limusine, Volksëagen Beetle, Aro, Skoda 706 MT dhe motorçikleta si Vespa, Jawa 350, Jawa Perak, Xingfu 250, Chang Jiang, Csepel, MZ, CZ, Lambretta, Guzzi, M72, BMW, Minarelli, Garelli, dhe modele të tjera, si dhe biçikleta të vjetra edhe mbi një shekull.

Për Anadolu, Prrenjasi, i cili në vitet 1989-2001 ka punuar oficer policie në Shqipëri tregon se mjetet në fjalë janë blerë, dhuruar, gjetur në magazina të ndryshme apo në shtëpi private nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, për t'u restauruar më pas dhe krijuar koleksionin unik.

"Dëshira për të filluar koleksionimin ka lindur herët, por mundësitë ishin të pakta. Me kalimin e viteve filloi të forcohej si ide, dëshirë dhe pasion njëkohësisht. Për koleksionimin e mjeteve dhe dokumentacionin përkatës të tyre, kam filluar afro viteve 2000. Ideja lindi së bashku me një mikun tim, i cili është një njohës i mirë i mjeteve dhe filluam të bënim koleksionin e mjeteve", tregon ai.

Dikur kanë qenë për përdorim vetjak, por edhe nga institucionet si nga Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, si dhe nga ish-Sigurimi i Shtetit, ndërkohë sot ato janë dëshmi e historisë së automotorizimit në Shqipëri dhe disa prej tyre në ditët e sotme përdoren edhe për realizmin e filmave.

Ai tregon se dëshironte që të ngjallte tek njerëzit kureshtjen, por të ngacmonte dhe memorien e tyre, duke shtuar se me kalimin e viteve me shumë pasion dhe me shumë punë kanë arritur të krijojnë një fond të tillë mjetesh që janë përdorur në Shqipëri kryesisht në periudhën para viteve 1990.

Prrenjasi thekson se synon në të ardhmen që koleksionin e tij ta shndërrojë në një muze të mirëfilltë dhe të aksesueshëm nga publiku dhe turistët.

"Ideja është për ta shndërruar në një muze që publiku t'i ‘prekë’ me sy këto mjete dhe duke prekur këto mjete do prekë historinë dhe të shkuarën. Këto mjete në vetvete janë unike dhe kanë vlera dhe konkurrojnë me mjete që janë prodhuar 50 vjet më vonë. Kënaqësinë që më japin mua (dëshiroj) mos ta mbaj vetëm për veten, por ta ndajë dhe me publikun", tregon ai.

Pjesë e muzeut të Prrenjasit janë edhe dokumentacioni dhe fotografitë që përfshijnë patenta, bileta automjetesh dhe leje qarkullimi në periudha të ndryshme historike.

"Bashkë me mjetet kam hulumtuar, kërkuar dhe gjetur dhe dokumentacionin përkatës të cilat kanë të bëjnë dhe kanë lidhje organike me mjetet, duke filluar nga patentat të cilat janë të hershme, që fillojnë nga koha e Mbretërisë Shqiptare dhe shtrihen deri në ditë e sotme, edhe biletat datojnë që nga viti 1925 dhe deri në ditët e sotme, lejet e qarkullimit, fotografi dhe dokumente të tjera plotësuese gjithmonë në funksion të këtyre mjeteve që unë kam koleksionuar", shprehet Prrenjasi.

Ai tregon se i është dashur të udhëtojë shumë nëpër Shqipëri për të siguruar dhe gjetur mjetet në fjalë, duke shtuar se këto mjete kanë qenë të harruara dhe "pluhuri i kohës i kishte mbuluar së bashku me ndryshkun".

Prrenjasi tregon se për restaurimin dhe mirëmbajtjen e tyre kujdeset restauratori dhe bashkëpunëtori i tij Medi Halilaj, me të cikin janë kujdesur për gjetjen e mjeteve dhe duke sjellë në gjendje pune shumë prej tyre, ndërsa disa janë ende në proces restaurimi.

"Si duket ato prisnin që të dilnin një ditë në skenë, i kemi marrë pothuajse anë e kënd Shqipërisë, duke filluar nga Saranda deri në Shkodër. Pas një punë shumë të mirë profesionale, i kemi restauruar. Vlen për t’u theksuar se të gjitha automjetet, motorët, biçikletat janë kthyer në origjinë ashtu siç kanë qenë, siç kanë dalë nga fabrika", shprehet ai.

Në një nga këndet e muzeut është krijuar edhe dhoma e pritjes, sipas modelit të shtëpive gjatë regjimit komunist, ku vizitorët njihen edhe me aspekte të jetës së dikurshme.

Statusi "Retro" nënkupton regjistrimin e tyre zyrtar nga institucionet si automjet i dalë nga qarkullimi dhe i ruajtur për qëllime koleksioni dhe gjithashtu që mbart vlera historike. Pjesë e "Retros" sot janë të pasionuarit, restauruesit, koleksionuesit e ciklomotorave dhe automjeteve të hershme, që gjithashtu ngjallin edhe kureshtjen e njerëzve.

Aktualisht në Shqipëri janë të regjistruara qindra mjete me statusin "Retro" që posedohen nga koleksionistë të ndryshëm, të cilët me pasionin e tyre kanë arritur të ruajnë makina të tilla unike.

Që një automjet të fitojë statusin "Retro" në Shqipëri duhet të jetë i prodhuar të paktën përpara 30 vitesh, të jetë i përfshirë në listën e miratuar të institucioneve të mjeteve historike, të jetë i ruajtur apo i restauruar në formën e tij origjinale, të mos përdoret për qarkullim të përditshëm, të mos jetë më në prodhim, si dhe të plotësojë dhe kritere të tjera.

TRT Balkan / agjencitë