Myftiu i Kosovës Tërnava uron besimtarët në prag të Fitër Bajramit/   Foto: Bashkësia Islame e Kosovës/Facebook

Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, ka mbajtur një fjalë rasti me përfundimin e Muajit të Ramazanit dhe në prag të festës së Fitër Bajramit, raporton Anadolu.

Në fjalën e tij drejtuar besimtarëve myslimanë, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Tërnava, tha se Fitër Bajrami vjen pas një sakrifice të madhe "andaj edhe është një manifestim falënderimi për Zotin pas agjërimit".

Tërnava, duke uruar Bajramin për myslimanët, tha se urtësia e festës së Fitër Bajramit është gëzimi dhe hareja, të cilat trokasin thellë në shpirtrat e besimtarëve, të cilët falënderojnë Zotin e Madhëruar që ua mundësoi agjërimin, adhurimin, faljen e namazit, dhënien e sadakatul fitrit, leximin e Kuranit dhe obligimet e tjera përgjatë gjithë këtij muaji.

"Bajrami është ditë kur forca e të pasurve dhe dobësia e të varfërve takohen në dashuri, mirësi dhe drejtësi, të frymëzuar nga qielli përmes bamirësive të shumta. Në këtë ditë besimtarët i lënë mënjanë shqetësimet, ngrihen mbi horizontin e parashikuar nga domethënia e kësaj feste, harrojnë fatkeqësitë dhe hallet, ngase fryma vëllazërore e Bajramit sikur i fshin gjurmët e urrejtjes e të dëshpërimit, sepse kjo festë është një vijë ndarëse e rikuperimit të shpresës për jetë më të mirë", theksoi Tërnava.

Ai tha se Bajrami është një ditë që edhe fëmijët i mbush me gëzim, buzëqeshje e argëtim, një ditë për të afërmit që i bashkon ata në drejtësi dhe lidhje, ditë e vizitave dhe përqafimeve të shumta, ditë e lutjeve dhe shpresës, ditë ku bamirësi liron dorën për bamirësi, ditë kur duhen pastruar shpirtrat dhe duhen shtrënguar duart.

Sipas myftiut, festa e Fitër Bajramit në kuptimin islam është vetë bukuria, plotësimi dhe përsosja, bashkëpunimi dhe respekti.

"Gjatë festës së Bajramit, fryma e fqinjësisë zgjerohet dhe shtrihet e bëhet sikur tërë shoqëria të jetonte brenda një shtëpie në të cilën arrihet vëllazëria në kuptimin e saj praktik, tiparet dalin në formën e tyre natyrore dhe emocionet dhe prirjet dalin ashtu siç janë. Është një arenë për garë në kërkimin e veprave të mira. Fitër Bajrami është një mundësi për të mbajtur dhe forcuar edhe më shumë lidhjet familjare, duke treguar dashurinë, respektin dhe dhembshurinë mes tyre, gjëra këto që forcojnë unitetin ndërmjet familjeve dhe shoqërisë", tha Tërnava.

Ai shtoi se është nder i madh prej Zotit që ua mundësoi të gjithë atyre që agjëruan Ramazanin, adhuruan Zotin, u solidarizuan me të varfrit, ndihmuan njerëzit nevojtarë, krijuan harmoni familjare dhe kaluan çdo sfidë për të kënaqur Krijuesin.

AA