Ndeshja Shqipëri-Çeki nën masa të rrepta sigurie.  / Foto: ATA

Kur na ndajnë pak orë nga ndeshja e futbollit mes Shqipërisë dhe Çekisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Në fokus të takimit ishin masat për mbarëvajtjen e ndeshjes së rëndësishme për Kombëtaren shqiptare.

Ministri Balla kërkoi të mos ketë asnjë tolerim që mund të cenojë sigurinë e ndeshjes.

“Janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun, duke nisur nga kontrolli i biletave që do të bëhet pa hyrë në stadium, kur bëhet kontrolli fizik edhe kontrolli me pajisje e cila verifikon vlefshmërinë e biletës. Policia ka marrë masat për të luftuar falsifikimin e biletave dhe kushdo që do të tentojë do të ndiqet nga policia dhe prokuroria”, tha Balla.

Nisur nga ndeshja me Poloninë, Federata ka marrë vendime për të penguar disa persona të hyjnë në stadium, identitetet e të cilëve tanimë janë publike.

Sipas Ballës këta shembuj do të ndiqen dhe për ndeshjet e tjera sportive në vend.

“Dua të jem i qartë me sportdashësit dhe tifo-grupet, nuk do të tolerohen raste dhune dhe masat do të jenë drastike. Jemi duke studiuar që Policia të rimarrë sigurinë për ndeshjet e mëdha, për mbarëvajtjen e tyre në bashkëpunim me FShF-në. Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit. Të rritim vigjilencën para ndeshjes dhe gjatë kontrolleve”, theksoi ai.

Njëkohësisht, Balla paralajmëroi se do të ketë një numër rekord punonjësish policie të angazhuar për sigurinë publike.

“Kërkoj mirëkuptimin e të gjithë tifozëve, qytetarëve dhe atyre që vijnë nga jashtë Shqipërisë, si Presheva, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i zi, ose dhe diaspora, të kuptojnë që mbërritja në stadium të mos jetë orën e fundit, por të jetë e shtrirë në 3 orët që paraprinë eventin për të bërë verifikimet e duhura. Jam shumë i sigurt që do të shkojë mirë”, nënvizoi ministri në takim.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku informoi mbi masat e detajuara, duke nisur nga kontrolli i ambienteve të brendshme të stadiumit.

Policia do të marrë nën kontroll dyert e emergjencave.

Kreu i FShF-së Armand Duka u shpreh se, qoftë policia ose Federata, nuk mund t'ia dalë pa bashkëpunimin e atyre që do të jenë në stadium.

Në fillim, Presidenti Duka falënderoi Ministrin Balla dhe të gjitha strukturat e Policisë për bashkëpunimin, teksa kërkoi mbështetjen e të gjithë spektatorëve që të bëhen pjesë e kësaj feste dhe të mos shkaktojnë probleme.

“Uroj të jetë festë me rezultat”, theksoi Duka, duke falënderuar ministrin Balla dhe drejtuesit e Policisë.

TRT Balkan / agjencitë