Nën koordinimin e Ambasadës turke në Tiranë dhe me mbështetjen e organizatave dhe bizneseve të ndryshme është nisur sot drejt Türkiyes një kamion me ndihma të ndryshme me materiale të mbledhura në Shqipëri për familjet e prekura nga tërmetet shkatërrimtare që ndodhën më 6 shkurt.
Pas lutjeve të të pranishmëve për viktimat e tërmeteve shkatërrimtare, kamioni i mbushur me ndihma u nis drejt Türkiyes.
Ndihmat që janë mbledhur nga TUMED dhe ATTSO, si dhe me mbështetjen e bizneseve të ndryshme turke dhe shqiptare, nën koordinimin e Ambasadës turke në Tiranë, konsistojnë në batanije, ngrohëse, gjeneratorë, rroba të ndryshme për fëmijë dhe të rritur, materiale higjienike dhe materiale të tjera të ndryshme.
Kujtojmë se më 11 shkurt nga Tirana drejt Türkiyes u nisën edhe dy kamionë të tjerë me ndihma të mbledhura në Shqipëri për familjet e prekura nga tërmetet në Türkiye.
Ndërkohë, në Shqipëri aktualisht vazhdon solidariteti i institucioneve, organizatave dhe qytetarëve për të mbështetur me ndihma në materiale të ndryshme dhe shuma në para familjet e prekura nga tërmetet në Türkiye.
Gjatë nisjes së ndihmave të pranishëm ishin zv.ambasadorja e Türkiyes në Tiranë, Edibe Sinem Atay, zyrtarë të tjerë të ambasadës, drejtori i Institutit "Yunus Emre" - Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Türkiye të Shqipërisë (TUMED), Egert Haxhiu, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Türkiye (ATTSO), Bilal Kara, dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme.