Nga Shqipëria drejt Türkiyes vazhdon dërgimi i ndihmave për familjet e prekura nga tërmetet shkatërrimtare të 6 shkurtit. Një tjetër kamion me ndihma është nisur sot në drejtim të provincave të prekura nga tërmetet në Türkiyen jugore.
Ndihmat janë mbledhur nga Fondacioni ALSAR, nën koordinimin e Ambasadës turke në Tiranë, ndërsa konsistojnë në produkte ushqimore, si miell, sheqer, oriz, makarona, vaj dhe produkte të tjera.
I pranishëm në nisjen e ndihmave në Vorë të Qarkut Tiranë ishte edhe Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, i cili në një deklaratë për Anadolu iu uroi muajin e Ramazanit shtetasve turq që jetojnë në Shqipëri dhe vëllezërve të tyre shqiptarë dhe familjeve të tyre.
Me mbështetjen e Fondacionit ALSAR, ambasadori Atay theksoi se janë duke e dërguar kamionin e radhës me ndihma.
"Gjithsej deri më sot, bashkë me këtë maunë pesha dhe madhësia totale e materialeve humanitare që dërgohet nga Shqipëria në Türkiye do të arrijë në 120 tonë. Pra, po e dërgojmë maunën e 12-të dhe materiale prej 120 tonësh", u shpreh ai.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, në deklaratën e tij për Anadolu, duke uruar besimtarët myslimanë për fillimin e muajit Ramazan, tha se shpresojnë që këto ndihma të mbërrijnë sa më shpejt në zonat e prekura nga tërmeti, që të përdoren gjatë muajit të Ramazanit.
"Në kuadër të fushatës që kemi hapur për të ndihmuar personat e prekur nga tërmeti në Türkiye, sot jemi duke dërguar maunën e tretë me ndihma. Konkretisht, përmban vetëm produkte ushqimore, miell, sheqer, makarona, vaj, prej 20 tonë", tha Gurra.
Të pranishëm gjatë nisjes së ndihmave ishin edhe koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve turke.
Kujtojmë se nga Shqipëria drejt Türkiyess janë nisur më parë edhe kamionë të tjerë me ndihma të mbledhura në Shqipëri për familjet e prekura nga tërmetet në Türkiye.