Flota e mjeteve aktive në Shqipëri vijon të pasurohet me mjete më pak ndotëse dhe të gjeneratës së fundit, thotë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPShTRR). Nga atje bëjnë të ditur se gjatë 2-mujorit të parë të vitit janë regjistruar për herë të parë 13.597 mjete, ose 51% më shumë krahasuar me 2-mujorin e vitit 2023.
Sipas tyre, 84% e totalit të tyre e përbëjnë autoveturat, 70% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë për 2019.
Shtetet kryesore të origjinës janë Gjermania me 20,2 %, Italia me 19,6 %, Republika e Koresë me 14,3 %, Zvicra me 9,6 %, Kina me 6,2 % dhe ShBA-ja me 5.5 %.
“Vihen re indikatorë pozitivë në tipologjinë e tyre kundrejt ndotjes së ambientit, ku 61,4% e autoveturave të regjistruara janë Euro 5 e sipër, 30% më shumë krahasuar me janar – shkurt 2023”, bën të ditur DPShTRR-ja.
Po ashtu, bëhet e ditur se flota është rinovuar me 1 860 mjete të gjeneratës së fundit 0-3 vjet.
Gjatë kësaj periudhe rezultojnë 1.209 mjete të çregjistruara në mënyrë të përhershme, me moshë mesatare mbi 22-vjeçare.