Në Tiranë u nënshkrua sot marrëveshja e mirëkuptimit me kompaninë 4iG, për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se ky është një tjetër projekt strategjik e inovativ që e kthen Shqipërinë në një nyjë të ndërlidhjes ndërkontinentale dhe e vendos Shqipërinë në një rankim tjetër të digjitalizimit.
“Si sistemi i parë që lidh dy vendet, rruga e planifikuar e linjave nënujore në Mesdhe do të jetë unike, duke shtuar diversitetin e rrugëve digjitale që lidhin Mesdheun në mënyrë tradicionale, që janë ato që lidhin Egjiptin me Francën dhe me Italinë, duke dhënë kështu një mundësi të tretë”, tha Balluku.
Sipas saj, ky sistem do të zotërojë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe të zhvillimit të trafikut të të dhënave mes Azisë, Lindjes së Afërt dhe Evropës.
Në anën e Egjiptit, tha ajo, do të ofrohet akses në shumë kablla nënujorë të juglindjes, përmes Detit të Kuq dhe Azisë sigurisht edhe Afrikës, të cilat u shtohen 10 rrugëve tokësore trans-Egjiptiane që bashkojnë segmentin lidhës të Mesdheut dhe opsionet e tjera të zgjatura të detit Mesdhe.
“Ashtu siç të gjithë ata që merren me digjitalizimin e dinë shumë mirë që Egjipti luan rolin e një nyje ndërkombëtare të të gjitha autostradave digjitale. Duhet të kemi parasysh se për Shqipërinë, sistemi do të ofrojë rrugën më të shkurtër për në Frankfurt, si dhe destinacione të rëndësishme për trafikun digjital europian duke lidhur një herë e mirë Europën Lindore dhe atë të pjesës së Ballkanit me nyjat kryesore siç janë Vjena, Budapesti ose dhe Sofja”, informoi Balluku.
Investimi i cili vlerësohet në vlerën nga 100 deri në 115 milionë euro, vijoi Ballluku, është i mirëpritur nga Qeveria Shqiptare dhe është në të njëjtën linjë me politikat për zhvillimin e teknologjisë dhe të digjtalizimit në Shqipëri.