Sot në Bruksel do të mbahet raundi i ri i dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në të cilin do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Mikpritës i takimit do të jetë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ndërsa në dialog do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak.
“Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Përfaqësuesi i Lartë dhe i dërguari i posaçëm Mirosllav Lajçak do të kenë takime të veçanta me liderët, të cilat do të pasohen nga një takim i përbashkët trepalësh”, thuhet në një deklaratë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS).
Në njoftim thuhet se takimi do të jetë për vlerësimin e të arriturave në dialog nën udhëheqjen e përfaqësueses së lartë.
Pas takimit, Borel pritet të mbajë një fjalim para mediave.
Mbajtja e një raundi të ri dialogu u ra dakord gjatë vizitave të Lajçakut në Kosovë dhe Serbi javën e kaluar.
Në prag të raundit të ri të dialogut në Bruksel, Borel tha se “po bën përpjekje që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrihet në një zgjidhje operative” për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 14 shtator 2023.