OMONOIA në Himarë protestoi në mbështetje të Alfred Belerit.     /Foto: ATA

Protesta është organizuar me thirrjen e organizatës Bashkimi Demokratik i Pakicës Kombëtare Greke në Shqipëri-ΟΜΟΝΟΙΑ, dhe pjesë e saj kanë qenë dhjetëra qytetarë të cilët kanë shprehur mbështetjen për Alfred Belerin.

Në qytetin e Himarës, në jug të Shqipërisë është mbajtur një protestë në mbështetje të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim.

Protesta është organizuar me thirrjen e organizatës Bashkimi Demokratik i Pakicës Kombëtare Greke në Shqipëri-ΟΜΟΝΟΙΑ, dhe pjesë e saj kanë qenë dhjetëra qytetarë të cilët kanë shprehur mbështetjen për Belerin.

Ndërkohë, pjesë e protestës ishin edhe disa zyrtarë grekë, por edhe përfaqësues të disa partive politike opozitare dhe aktivistë të ndryshëm nga Shqipëria, të cilët kanë kërkuar lirimin e Belerit.

Sipas organizatorëve, protesta është mbajtur për të kërkuar lirimin e Belerit, mundësimin për betimin e tij dhe marrjen zyrtarisht të detyrës së kryebashkiakut të Himarës.

Çështja Beleri

Më 12 maj, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje".

Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues.

Sipas autoriteteve shqiptare, Beleri dyshohet për përfshirje në aktivitete të blerjes së votave.

Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe në Greqi.

TRT Balkan / agjencitë