Opozita në Shqipëri paralajmëron përshkallëzim: Ngujim ose grevë urie / Foto: ATA

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në Shqipëri, Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat ka deklaruar se deputetët e opozitës janë të gatshëm të përshkallëzojnë protestën e tyre duke u ngujuar në sallën e Kuvendit, ose duke nisur një grevë urie.

Sipas tij, aksioni opozitar nuk do të ndalet deri sa të realizohen të gjitha kërkesat e parashtruara, që sipas Bardhit janë të drejta kushtetuese që i takojnë opozitës.

“Nuk besoj se është sekret se grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka diskutuar të gjitha opsionet e e aksionit tonë brenda parlamentit dhe jashtë tij. Të gjithë kemi shprehur gatishmërinë për përshkallëzim e protestës, qoftë ngujim, qoftë grevë urie”, tha Bardhi.

Ai tha se beteja e opozitës është “ta kthejë parlamentin në funksionalitet të plotë kushtetues”.

“Bllokimi nuk është qëllimi ynë, por ne duam që parlamenti të jetë funksional. Duam që parlamenti të funksionojë sipas kushtetutës dhe rregullores. Beteja jonë është për të kthyer parlamentin në funksionalitet të plotë kushtetues. Kemi katër muaj që rezistojmë dhe do vazhdojmë të rezistojmë deri sa kërkesat tona legjitime të përmbushen”, tha Bardhi.

Sipas tij, kontrolli parlamentar është funksion i opozitës, ndërsa theksoi se reforma zgjedhore është interes madhor i qytetarëve, që vitin tjetër Shqipëria të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

TRT Balkan / agjencitë