Deputetë republikanë, provincialë dhe këshilltarë opozitarë kanë bllokuar për të tretën ditë radhazi hyrjen e ndërtesës së gjykatës dhe prokurorisë në Novi Sad, duke u përplasur sërish me forcat policore që i pritën mëngjesin e sotëm para hyrjes së Pallatit të Drejtësisë në Novi Sad.
Përfaqësuesit e zgjedhur të opozitës nga nivele lokale, provinciale dhe nga Kuvendi i Serbisë u përpoqën të shtynin policinë drejt hyrjes së ndërtesës, gjë që çoi në ndërhyrjen e xhandarmërisë. Gjatë përleshjeve, u dëmtuan dera hyrëse dhe gardhi në shkallët përpara ndërtesës së gjykatës.
Sipas informacioneve jozyrtare, pas përleshjeve, policët civilë ndaluan dhe arrestuan një të moshuar nga Novi Sadi, i cili thuhet se kishte spërkatur me sprej piper një polic gjatë përplasjes. Shtetasit të arrestuar i është caktuar ndalimi deri në 48 orë për sulm ndaj një zyrtari publik gjatë kryerjes së detyrës, vepër kjo që sipas ligjit konsiderohet krim.
Protestat dhe bllokadat nga këshilltarët dhe deputetët opozitarë nisën të martën, të pakënaqur me punën e gjyqësorit pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, që shkaktoi vdekjen e 15 personave dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve.
Opozita kërkon lirimin e të gjithë aktivistëve dhe politikanëve të ndaluar pas protestave qytetare në Novi Sad më 5 nëntor, si dhe identifikimin dhe ndjekjen penale të të gjithë përgjegjësve për shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor më 1 nëntor.
Pavarësisht informacioneve të mëngjesit të sotëm për arrestimet e para të të dyshuarve për rrëzimin e çatisë, opozitarët paralajmërojnë vazhdimin e bllokadave dhe protestave përpara ndërtesës së organeve të drejtësisë, derisa të lirohen të gjithë personat e ndaluar pas protestave qytetare.
Bllokadat kanë paralizuar sot punën e gjykatës, pasi një pjesë e stafit, përfshirë avokatët dhe palët në proceset gjyqësore, nuk mundën të hynin në ndërtesë.