Policia e Shqipërisë ka sekuestruar dhjetëra vepra arti, sipas autoriteteve, të trafikuara nga Greqia në Shqipëri, ndërkohë ka arrestuar edhe dy shtetas shqiptarë, gjatë operacionit policor në qytetin e Fierit.
Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier të publikuar në rrjetet sociale thuhet se gjatë operacionit policor të koduar "Vlera", janë sekuestruar 107 vepra arti dhe janë arrestuar në flagrancë dy persona, sipas policisë të dyshuar si autor të kësaj veprimtarie kriminale, të dy banues në Fier.
"Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 107 vepra arti të dyshuara të trafikuara nga shteti grek, ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit, të gjitha këto me vlerë rreth 1,5 milion euro, si dhe automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shtetit grek, në Shqipëri, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis sativa dhe një peshore elektronike", thuhet në njoftim.
Sipas policisë, e cila ka publikuar edhe një video me veprat e gjetura dhe të sekuestruara gjatë kontrollit në banesat e dy shtetasve të arrestuar, nga hetimi rezultoi se të arrestuarit, në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, kanë trafikuar vepra arti nga shteti grek, për t’i shitur në Shqipëri.
Policia e Fierit ka theksuar se do të bashkëpunohet me Policinë greke, "për të zbardhur dhe dokumentuar këtë veprimtari kriminale dhe për të çuar përpara drejtësisë edhe shtetasit e tjerë të implikuar".
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale "Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës", "Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak" dhe "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", të kryera në bashkëpunim.