Osmani: NATO-ja është fati i Kosovës.     /Foto: AA Archive

Serbia si përfaqësuese e Rusisë në rajonin tonë është e përkushtuar ta kthejë këtë rajon sikur në vitet 90-ta, pasi, së bashku me aleatët e saj, duan të zhbëjnë gjithçka që është arritur së bashku gjatë viteve. Kështu tha Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në konferencën për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, me temë “Demokracia, të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i paqes”, e cila është organizuar nga Universiteti i Prishtinës së bashku me Universitetin e Arkansasit të ShBA-së.

Osmani ka thënë se NATO-ja është fati i Kosovës, fat i cili bazohet në dëshirën e të gjithëve për të ndarë përgjegjësitë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe më gjerë.

Presidentja ka shtuar se Kosova vazhdon të ndërmarrë reforma në sektorin e sigurisë, duke zhvilluar gjithnjë e më shumë kapacitete të veçanta në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mund dhe duhet të shërbejë si kujtesë për efektivitetin e veprimit kolektiv në përballjen e agresionit, si komuniteti i bashkuar ndërkombëtar. NATO-ja është fati ynë, ky fat bazohet në dëshirën tonë për të ndarë përgjegjësitë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe më gjerë”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu, Osmani ka shtuar se Serbia çdo ditë po tregon qëllimet e saj për rajonin.

“Serbia, përfaqësuesja e Rusisë në rajonin tonë, është e përkushtuar ta kthejë rajonin tonë në vitet '90. Serbia dhe aleatët e saj duan të zhbëjnë gjithçka që kemi arritur së bashku gjatë viteve, dhe ata mendojnë se një sulm ndaj Kosovës nuk është vetëm një sulm ndaj një vendi fqinj, është një sulm kundër NATO-s, kundër Shteteve të Bashkuara, kundër Britanisë së Madhe, kundër sukseseve tona të përbashkëta, kundër vlerave që qëndrojnë në themelin e Komunitetit Euro-Atlantik”, tha presidentja Osmani.

Në këtë takim ishte i pranishëm ishte edhe Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

TRT Balkan / agjencitë