Osmani në Shkup: E ardhmja e rajonit në familjen e shteteve euro-atlantike.     /Foto: Stevo Pendarovski/Facebook

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka mirëpritur në vizitë zyrtare homologen e saj nga Kosova, Vjosa Osmanin.

Ata biseduan për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve si dhe për temat rajonale, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi.

Në fjalimin e saj pas takimit, Osmani tha se ardhmja e dy shteteve është në familjen euro-atlantike.

Sipas saj, kjo është garancia më e madhe për paqe afatgjatë në rajon.

“E ardhmja e vendeve tona, e rajonit tonë është në familjen e shteteve euro-atlantike, e kjo është garancia më e madhe për paqe dhe prosperitet afatgjatë në rajon. Që të dyja vendet tona e kanë dëshmuar që pavarësisht sa e vështirë është kjo rrugë, asnjëherë nuk do të ndahemi dhe nuk do të largohemi nga ajo”, tha presidentja Osmani.

Bashkë me Maqedoninë e Veriut kemi synim të qartë: bashkëpunimin e ngushtë drejt Bashkimit Evropian. 🇽🇰🤝🇲🇰 Sot, me...

Posted by Vjosa Osmani on Wednesday, April 26, 2023

Ajo gjithashtu theksoi edhe rëndësinë e ndërtimit të autostradës Bllacë-Shkup, e cila sipas saj do të ndikojë në komunikimin mes qytetarëve, si dhe në këmbim tregtar.

Ndërsa presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se mbështesin aspiratat euroatlantike të Kosovës, si dhe anëtarësimin e saj në NATO.

“U pajtuam se shtetet tona kanë rol kyç në përpjekjet për arritjen e një stabiliteti të përhershëm. E ardhmja evropiane e dy vendeve tona është në BE dhe NATO. Ne mbështesim aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në NATO”, deklaroi Pendarovski.

Посетата на претседателката на Косово, Вјоса Османи-Садриу, е можност да размениме мислења за билатералните односи, за...

Posted by Stevo Pendarovski on Wednesday, April 26, 2023

Bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Maqedoni të Veriut, Presidentja Osmani do të vendosë lule te shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, te busti i Hasan Prishtinës dhe pllakës së Nënë Terezës, si dhe do ta vizitojë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITShKShM).

Presidentja Osmani gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut do ta vizitojë edhe Tetovën ku do ta takojë kryetarin e komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë të tjerë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune.

Vizitën në këtë komunë Presidentja Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.


TRT Balkan / agjencitë