Në kuadër të Samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) që po mbahet në Moldavi, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur edhe mbi zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Sipas saj, presidenti serb Aleksandër Vuçiq është i interesuar që nëpërmjet bandave të tij kriminale në veri ta destabilizojë Kosovën.
“Ne si rajon e në veçanti si Kosovë jemi përballë sfidave të tilla, sepse Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin tonë duke tentuar ta destabilizojë Kosovën, por edhe shtetet e tjera të rajonit”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar se një veprim i tillë nuk duhet lejuar assesi, me ç’rast ka theksuar se koordinimi me aleatët ndërkombëtarë është kyç për qetësimin e situatës në veri të vendit.
“Unë këtu sot jam për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë që t’i luftojmë këto tendenca destabilizuese, që t’i luftojmë së bashku për sundim të ligjit dhe të parandalohet ndikimi edhe i propagandës, por edhe i këtyre tendencave”, shtoi Osmani.
Kujtojmë se protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale, pas zgjedhjeve të fundit në komunat e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarë.