Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mirëpritur homologen e saj hungarez Katalin Novak.     Foto: Vjosa/Osmani

Idetë ose gjysmë zgjidhjet që nuk kontribuojnë në arritjen e njohjes reciproke, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk sjellin paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me homologen e saj hungareze, Katalin Novak, Osmani. Ajo theksoi se se mirëpresin përkushtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macorn për dialogun dhe paqen në rajon.

Presidentja Osmani, po ashtu tha se vizita e dy këshilltarëve franko-gjermanë tregon qëllimin për dinamizëm të procesit të dialogut.

“Qëndrimi i Kosovës mbetet po ai që keni dëgjuar vazhdimisht, ai që është rikonfirmuar edhe në letrat e presidentit Biden dhe deklaratat publike të kancelarit Scholz, edhe të shteteve të tjera veç e veç të BE-së, se njohja reciproke është zgjidhja përpara, njohja reciproke sjell paqen dhe stabilitetit afatgjatë”, tha ajo.

Për dialogun Kosovë-Serbi, foli edhe presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, e cila tha se i njëjti duhet të vazhdojë dhe se palët duhet të kërkojnë zgjidhje kompromisi.

“Sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, normalisht se duhet të vazhdohet dhe është me rëndësi që ky mos të ndalet. Palët negociuese duhet të gjejnë rrugën e përbashkët dhe të arrijnë të ruajnë paqen dhe stabilitetin e këtij rajoni. Sidomos tash kur ka luftë në Ukrainë dhe është me rëndësi që dialogu të vazhdojë. Është e qartë se ka lehtësues të dialogut, roli i të cilëve është të gjejnë kompromisin, por qëllimi duhet të vjen nga palët negocuese që kërkojnë zgjidhje”, deklaroi presidentja hungareze.
Ndryshe, ajo theksoi se do të bëjë çmos që Bashkimi Evropian të jep dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën.

TRT Balkan / agjencitë