Pajisjet dimërore për komunikacion me afate të ndryshme në Ballkan     Foto: TRT Balkan

Si çdo vit të zakonshëm edhe këtë vit vozitësit e automjeteve duhet të kenë kujdes sigurinë e tyre gjatë ndërrimit të moteve, rrjedhimisht me këtë edhe kursimin nga gjobat si pasojë e mosrespektimit të dispozitave ligjore. Ndër kushtet e domosdoshme për qarkullim në komunikacion gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit janë ndryshimi i gomave.

Serbia dhe BeH nga 1 nëntori

Agjencia e Sigurisë në Trafik e Serbisë dhe Klubi i Automotoçikletave të Bosnjë e Hercegovinës u kujtuan drejtuesve të mjeteve detyrimin ligjor që automjetet duhet të kenë goma dimërore në periudhën nga 1 nëntori deri më 1 prill.

Ata theksojnë se thellësia e shkallës, pra modeli në goma, duhet të jetë së paku katër milimetra, por rekomandohet që gomat të ndërrohen edhe para se të ndodhë kjo.
Gomat më të vjetra se pesë vjet duhet të kontrollohen në detaje një herë në vit, ndërsa gomat e shënuara “M+S” konsiderohen goma dimërore dhe mund të përdoren gjatë periudhës së caktuar.

Dallimi mes gomave të verës dhe dimrit është i konsiderueshëm për shkak të përbërjes së tyre, thuhet dhe shtohet se gomat e verës janë më rezistente ndaj temperaturave të larta, ndërsa gomat e dimrit janë bërë nga materiali që është më rezistent ndaj temperaturave të ulëta.

Në temperaturat nën shtatë gradë, gomat e verës humbasin karakteristikën e tyre më të rëndësishme - kapjen e mirë dhe distanca e tyre e ndalimit gjatë frenimit është deri në dy herë më e gjatë se gjurma e zakonshme që lënë gomat e dimrit.

Dallimi midis gomave të verës dhe dimrit është gjithashtu në thellësinë e modelit, kujton njoftimi dhe thekson se gomat e dimrit janë më të mira për t’u përdorur edhe kur rrugët janë të thata, nëse temperaturat janë më të ulëta se shtatë gradë, si dhe ndërtimi i “skeletit” metalik të gomave të dimrit më i fortë dhe më rezistent ndaj ndikimeve mekanike.

Sipas njoftimit për “rolin” e gomave të përshtatshme në sigurinë në komunikacion tregon edhe fakti që çdo muaj vdesin rreth 4 persona dhe lëndohen 80 për shkak të rrëshqitjes së rrugëve për shkak të kushteve atmosferike në periudhën dimërore të vitit.

Përkujtohet se, sipas Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, shoferi është i obliguar që në komunikacionin rrugor të ketë pajisje dimërore dhe t’i përdorë në mënyrën e paraparë, e në të kundërtën parashihet gjobë.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nga 15 nëntori

Për dallim nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, obligimi për pajisjet dimërore në komunikacion hyn në fuqi 2 javë më vonë, pra më 15 nëntor.

Për shoferët e automobilave, fuoristradave dhe kamionëve të lehtë është i domosdoshëm posedimi i gomave të dimrit dhe i zinxhirëve, ndërsa për shoferët e autobusëve dhe të kamionëve transportues edhe lopata nëse në rrotat lëvizëse të makinës nuk mund të vendosen zinxhirë për borë.

Sanksionimi në sezonin e ardhshëm dimëror në Maqedoninë e Veriut do të jetë konform rregullores ekzistuese për pajisje dimërore në automobila, me të cilën caktohet gjobë prej 15 eurove. Me ligjin e ri për siguri në trafikun rrugor, përpilimi i të cilit është në vijim, sipas paralajmërimeve, janë parashikuar gjoba prej 45 eurove për mosposedim të pajisjeve dimërore.

Neni 404 i Ligjit për siguri në qarkullimin në rrugë parashikon se automjetet motorike dhe makineritë e punës kur marrin pjesë në trafik në rrugë jashtë vendbanimit, në periudhën prej 15 nëntorit deri më 15 mars detyrimisht duhet të posedojnë pajisje të caktuar dimërore.

Njëjtë si në Maqedoninë e Veriut, edhe në Shqipëri dhe në Kosovë thellësia e vijave të gomës për përdorim të dimrit duhet të jetë më e madhe se 4 milimetra.

Rekomandime të tjera për përgatitjen e makinës për dimër

Kontrollimi i baterisë do t’ju kursejë kohë dhe para dhe do të zgjasë jetën e baterisë. Është e mundur të kontrolloni në mënyrë të pavarur tensionin me ndihmën e një unimetri, dhe preferohet një kontroll profesional i terminaleve dhe i kabllove.

Kontrollimi i gjendjes së antifrizit, ftohësit të motorit, është i rëndësishëm sepse motori ngarkohet edhe më shumë në dimër.

Mungesa e antifrizit mund të çojë gjithashtu në ngrirjen e ujit dhe dëmtim të madh të sistemit të ftohjes.

Niveli i vajit të motorit gjatë kontrollit duhet të jetë midis linjave minimale dhe maksimale. Në dimër, rekomandohet përdorimi i të ashtuquajturave vajra më të lehta, viskozitet më të ulët.

Është e dëshirueshme të zëvendësohen tehet në fshirëse për funksionim më të mirë gjatë reshjeve të dimrit. Zëvendësoni lëngun e fshirësit të xhamit me lëng “dimëror” që nuk ngrin në temperatura nën zero.

Nëse keni problem me ngrirjen e bravave, lyejini ato me një sprej anti-koroziv (p.sh. WD 40) dhe lubrifikoni kornizat e dyerve me glicerinë nga farmacia.

TRT Balkan