Në kryeqendrën e Francës, ku po qëndron në mbështetje të ekipit olimpik të Kosovës, kryeministri Albin Kurti pati një takim miqësor me ish-ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Bernard Kouchner, njëherësh shefin e parë të UNMIK-ut në Kosovë.
Kurti dhe Kouchner diskutuan për suksesin e intervenimit të NATO-s në pranverë të vitit 1999, periudhën e pasluftës, si dhe arritjet e sukseset e shtetit të Kosovës 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe 25 vjet pas çlirimit të vendit.
Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e Kouchner fillimisht në periudhën 1999-2001 si përfaqësues special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, dhe pastaj gjatë viteve 2007-2010 si ministër i Punëve të Jashtme të Francës gjatë së cilës kohë Kosova shpalli pavarësinë dhe u njoh nga Franca.
Të dy u shprehën të kënaqur për mundësinë për t'u takuar, pasi për arsye logjistike Kouchner nuk mori pjesë në organizimet në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës në muajin qershor. Kryeministri tha se mirëpresin vizitën e Kouchner në Kosovë sa më parë që është e mundur.