Partia ekstremiste e djathtë greke, Zgjidhja Greke, i ka kërkuar kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ta ftojë miliarderin amerikan Elon Musk për t’iu drejtuar parlamentit.
Kërkesa është bërë përmes një letre të nënshkruar nga eurodeputeti Emmanouil Fragkos, i cili përfaqëson këtë parti greke ekstremiste të djathtë në Parlamentin Evropian.
“Si pjesë e përpjekjeve tona për të mirëpritur mysafirë të shquar dhe me rëndësi, propozojmë ta ftojmë Elon Muskun për t’iu drejtuar një seance plenare. Ne vlerësojmë motivet që kanë nxitur arritjet e tij revolucionare, vizionin e tij për progresin global dhe njohuritë e tij që mund ta kthejnë Bashkimin Evropian në një qendër të kreativitetit dhe përparimit teknologjik,” ka shkruar Fragkos.
Drejtuesi i kompanive Tesla, SpaceX dhe platformës së rrjeteve sociale X është një figurë polarizuese në arenën politike globale, veçanërisht kohët e fundit pas njoftimit se do të jetë pjesë e administratës së presidentit amerikan Donald Trump.
Më parë, Musk ka shprehur mbështetje për partinë ekstremiste të djathtë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD). Së fundmi, në platformën X, ai ka kritikuar qeverinë laburiste britanike.
Javën e kaluar, Musk e akuzoi ministren britanike të sigurisë, Jess Phillips, si “mbështetëse të genocidit të dhunës seksuale” dhe bëri thirrje për arrestimin e saj. Ai gjithashtu ka kërkuar dorëheqjen e liderit të laburistëve dhe kryeministrit Keir Starmer, për dështimet e supozuara në ndjekjen penale të bandave kriminale.
Në platformën X, Musk organizoi një sondazh duke pyetur përdoruesit nëse Amerika duhet të “çlirojë popullin britanik nga qeveria e tij tiranike”.
Starmer, të hënën, iu referua indirekt komenteve të Musk gjatë një konference për shtyp, duke e akuzuar atë për përhapjen e dezinformatave dhe retorikës ekstremiste të djathtë.