Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin ende lirshëm në zonën Schengen. Po ashtu, si rezultat i një numri të madh të shteteve të cilat akoma nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, e bën edhe më të vështirë qarkullimin e tyre në shumë shtete.
Në saje të këtyre fakteve, rrjedhimisht Kosova rradhitet si vendi i fundit i Rajonit sipas renditjes globale të pasaportave.
Në vazhdim, TRT Balkan ju sjell renditjen e vendeve të rajonit sipas Indeksit të pasaportave Henley&Partners.
Serbia e para në rajon
Nga të gjitha vendet e rajonit, pasaporta e Serbisë është më e vlefshme. Me pasaportë të Serbisë mund të qarkullohet në 137 vende të botës, duke u radhitur e para në rajon, ndërsa e 35-ta në nivel botëror.
Dallim i vogël ndërmjet vendeve të tjera
Sipas raportit global të Lëvizshmërisë për vitin 2023 (Indeksin Henley&Partners) nuk mund të vërehet ndonjë dallim i madh sa u përket vendeve tjera të rajonit lidhur me vlefshmërinë e pasaportës.
Maqedonia e Veriut radhitet e dyta në rajon ndërsa e 44-ta në botë, pasaporta e së cilës vlen në 125 shtete.
Një vend më poshtë, e treta në rajon, gjegjësisht e 45-ta në botë është pasaporta e Malit të Zi, poseduesit e së cilës mund të qarkullojnë lirshëm pa vizë paraprake në 124 shtete.
Më pas vijnë Bosnjë e Hercegovina dhe Shqipëria të cilat në nivel botëror renditen e 48-ta, gjegjësisht e 49-ta. Me pasaportë të Bosnjë e Hercegovinës zotëruesit e tyre mund të kenë akses pa vizë paraprake në 118 shtete, ndërsa ata të Shqipërisë në 117 shtete.
Pasaportat më të fuqishme në botë
Të dhënat e Indeksit Henley&Partners tregojnë se vetëm katër shtete në botë kanë pasaportë e cila është e vlefshme në mbi 190 shtete.
E para radhitet pasaporta e Singaporit, shtetasit e të cilëve mund të lëvizin lirshëm në 192 vende të botës, më pas vijnë ai i Gjermanisë, Italisë dhe Spanjës që vlen në 190 shtete.
Si u bazua Indeksi Henley & Partners?
Indeksi bazohet në të dhëna ekskluzive nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA),databaza më e madhe, më e saktë e informacionit të udhëtimit dhe e përmirësuar nga ekipi hulumtues i Henley & Partners. Vështrimet e ekspertëve në lidhje me renditjen më të fundit janë të disponueshme në Raportin Global të Lëvizshmërisë 2023.