Nikolla-Zhelyazkov: Shqipëria e Bullgaria kanë raporte të qëndrueshme / Photo: AA

Pas takimit në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, Nikolla dhe Zhelyazkov dhanë një deklaratë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera.

Në fjalën e saj Nikolla tha se kanë rënë dakord që të intensifikojnë bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, sipas saj, duke shtuar vizitat në nivele të larta, në nivele të komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë dhe deputetëve.

"Diskutuam për miqësinë tradicionale midis popujve e vendeve tona, mundësinë për intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe marrëdhënieve dypalëshe, vijimin e mbështetjes për integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin për mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, Evropë dhe më gjerë", u shpreh Nikolla.

Ajo tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, sipas saj, në dobi të të dyja vendeve, të rajonit dhe perspektivës evropiane.

"Kolegut Zhelyazkov i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e qëndrueshme dhe të artikuluar qartë të Bullgarisë ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë procesit të negociatave. Shqipëria vlerëson politikën e jashtme konstruktive të Bullgarisë", tha ndër të tjerash Nikolla.

Mes Bulgarisë dhe Shqipërisë nuk ka çështje të hapura

Zhelyazkov deklaroi se kanë biseduar për aspektin e marrëdhënieve parlamentare mes Bullgarisë dhe Shqipërisë. Ai shtoi se kanë nënvizuar marrëdhëniet mes dy vendeve edhe në kontekstin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe në kontekstin e sfidave para rendit ndërkombëtar.

"Shqipëria e ka përkrahjen e palëkundur të Bullgarisë sepse sipas nesh parimi duhet të jetë parimi i meritave të veta. Shqipëria në këtë aspekt është kampione e rajonit dhe ajo përmbush të gjitha detyrimet e veta të politikës së jashtme. Ajo ka një pozicion të palëkundur sa i përket luftës në Ukrainë dhe përmbush të gjitha detyrat e saj të lidhura me nismat rajonale", tha ai.

Kryeparlamentari bullgar theksoi se mes Bulgarisë dhe Shqipërisë nuk ka çështje të hapura.

"Folëm edhe për mundësitë për nxitjen e investimeve, për mundësitë që do të na japë ndërtimi i Korridorit 8 dhe për intensifikimin e marrëdhënieve. Morëm konfirmim për garantimin e të drejtave të minoritetit bullgar në Shqipëri. Vlerësojmë përpjekjet për këtë dhe në bazë të kësaj përkrahim edhe më fort rrugëtimin evropian të Shqipërisë", tha ai.

Ndërkohë, në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë në lidhje me takimin Begaj-Zhelyazkov, thuhet se në fokus të takimit ishin marrëdhëniet politike mes dy vendeve, procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, intensifikimi i raporteve ekonomike dhe rritja e shkëmbimeve tregtare.

AA