Një mision ndihme nga Shqipëria me rreth 80 pjesëtarë, efektivë të Forcave të Armatosura, të emergjencave civile dhe të ekipeve shëndetësore, si dhe disa mjete u angazhuan për rreth 11 ditë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Malatya të Türkiyes, pas tërmeteve shkatërrimtare. Ata tashmë janë kthyer në vendlindje dhe kanë rrëfyer përjetimet nga misioni i tyre në jug të Türkiyes.
Momenti më emocionues gjatë aksioneve për kërkim-shpëtim të ekipit të Shqipërisë ka qenë gjetja e një fëmije të gjallë nën rrënoja, si dhe qëndrimin e familjarëve pranë tyre për të mësuar mbi fatin e të afërmeve nën gërmadhat e ndërtesave.
Drejtori i Inspektoratit Shëndetësor të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, kolonel doktor Elton Reso, për Anadolu tregon se momenti më prekës i misionit shqiptar ishte gjetja e fëmijës së mbijetuar rreth katër vjeç, ku sipas tij gjithë ekipi filluan duke gërmuar nëpër rrënoja derisa këtë fëmijë e gjetën të mbijetuar.
"Në spotin ngjitur me ne (ndërtesë e shkatërruar) u dëgjuan disa të qara. Menjëherë e lamë punën nga ky spot dhe kaluam në spotin tjetër të gjithë efektivët tanë, duke gërmuar me shpejtësi dhe arritëm të nxjerrim një fëmijë. U shpëtua një fëmijë. U gjet në kushte të vështira shëndetësore. Ato qenë momente të mrekullueshme. U impenjuan të gjithë kaq shumë në shpëtimin e atij fëmije", tregon ai.
Reso thekon se të afërmit e atyre personave që ishin nën rrënoja qëndronin bashkë me ekipin shqiptar, dhe sipas tij kishin atë shpresën e madhe që të gjenin të afërmit e tyre në jetë.
Ai i emocionuar tregon edhe një moment tjetër prekës për ekipin shqiptar atje, ku një djalë rreth 22 vjeç kishte pjesëtarët e familjes së tij nën rrënoja.
"Ishte një djalë turk, i cili në një pallat rreth tetë kate që kishte rënë i gjithi, kishte gjithë familjen e tij, kishte babain, nënën dhe pesë vëllezër nën rrënoja. Tek ekipi ynë u lidh aq shumë dhe kishte një shpresë të jashtëzakonshme se mos gjente të paktën një nga familjarët e tij. E dhimbshme. Asnjëri nuk u gjet nga familjarët e tij i gjallë. Mirëpo, më pëlqeu gjesti i tij shumë fisnik sepse kur u nxor edhe i ati i tij, na ka përqafuar të gjithëve, pavarësisht çfarë dhimbjeje të madhe kishte ky djalë i ri", tha Reso.
Kapiteni Fatjon Banaj, pjesëtar i ekipit shqiptar, tregon se si rast që i ka mbetur në kujtesën e tij, ishte që edhe në ditët e fundit të kërkim-shpëtimit familjarët prisnin me shpresën që mund të ishin ende të gjallë pjesëtarët e familjeve të tyre.
Banaj tregon se gjetën të pajetë babë e bir bashkë të përqafuar dhe shtoi se "na u desh të jepnin ndihmën e parë edhe familjarëve të tyre të cilët kur panë atë gjendje përjetuan një krizë emocionale shumë të fortë, gjë e cila ndikoi edhe tek ne".
"Patëm disa raste që na u desh të ndërhynim duke lënë mënjanë edhe pjesën e emocioneve për shkak të situatës së krijuar dhe situatës së rënduar në cilën ndodheshim. Gjithë pjesa e grupit tregoi një profesionalizëm shumë të lartë", shprehet Banaj, duke shtuar se ishte një nga misionet më të vështira dhe që ka për të ngelur gjatë në kujtesën e tij.
Ai tregon se edhe kushtet në të cilat punonin ishin shumë të vështira, me temperaturat të cilat shkonin deri në minus 17 gradë celsius, punonin gjatë 24 orëve.
"Por, duke parë familjarët që qëndronin aty me shpresën se pjesëtarët e tyre mund të ishin të gjallë, kjo na jepte forcë për të vazhduar", shprehet Banaj.
Ndjesia më e bukur është të shpëtosh një jetë
Nëntoger Krisman Merlika, i cili ka kryer studimet e mesme dhe të larta ushtarake në Türkiye, shprehet se momenti i parë i ekipit ku ai bënte pjesë ishte diçka me një ndjesi shumë të bukur, sepse sipas tij "shpëtoi një jetë fëmije i cili ishte katërvjeçar".
Ai tregon se gjatë gjithë kohës që kanë qenë në qytetin Malatya kanë shpëtuar një jetë dhe kanë nxjerrë 26 viktima. "Ndjesia më e bukur është të shpëtosh një jetë", tha ai.
"Episodi më prekës ishte i një babai i cili më pyeti për fëmijët e tij që i kishin ngelur nën rrënoja. Më pyeti nëse mund të dija diçka në lidhje me fëmijët e tij. Përgjigje më prekëse që të ther në zemër më shumë ishte që 'ata mamanë nuk e kanë, ndërsa babi i tyre jam unë'. Ky ka qenë momenti më i vështirë imi. Por, ato fëmijët fatkeqësisht ishin të pajetë", tregon Merlika i përlotur.