Rreth 600 shqiptarë të Kosovës më 16 prill të vitit 2000 u nisën nga Mitrovica drejt Kukësit, në shenjë përkujtimi të hapave të tyre kur u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre prej forcave serbe.     /Foto: Reuters Archive

Çdo 16 prill shumë qytetarë të Kosovës rikthehen në qytetin e Kukësit në Shqipëri, për të përkujtuar eksodin e vitit 1999, të shkaktuar nga ushtria dhe policia e Serbisë. Qytetarë shqiptarë të Kosovës në Kukës gjetën bujarinë dhe shtëpinë e tyre.

Nën një simbolikë të veçantë, qindra qytetarë nga Kosova edhe në 24-vjetorin e “’Eksodit 99” kanë kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri për të mbërritur në Kukës.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, e cilësoi Kukësin si lapidarin e mikpritjes shqiptare.

Në marsin dhe prillin e vitit 1999 ushtria serbe ndërmori një valë të gjerë të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare në Kosovë, duke larguar me dhunë mijëra banorë nga shtëpitë e tyre.

Ishte Kukësi që u bë shtëpia e dytë e tyre, ku rreth 700 mijë persona u strehuan në shtëpi, godina institucionesh dhe në kampet që u ngritën për pritjen e tyre, deri më 13 qershor ‘99 kur Kosova u çlirua nga NATO-ja dhe UÇK-ja. Ditë më parë një përvjetor i tillë u shënua edhe në Bllacë, pika kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

TRT Balkan / agjencitë