Pesë kryeqytete në dy ditë, turi ballkanik i Edi Ramës / Foto: AA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama fillon sot “turin ballkanik”, vizitat zyrtare në kryeqytetet e pesë shteteve të Ballkanit Perëndimor si parapërgatitje për takimin në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili mbahet në vjeshtë në Tiranë.

Rama fillon ditën e enjte në Shkup, në takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskin. Pas konferencës së përbashkët në mesditë, Rama dhe Kovaçevski bashkë me delegacionet do të kenë edhe drekë pune.

Pasdite, Rama udhëton drejt Prishtinës, ku takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.

Në agjendën e Ramës është edhe takimi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, por që nuk është konfirmuar nga Kurti. Kryeministri i Kosovës tha se nuk ka pse të takohet me Ramën jashtë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, e cila duhej të mbahej në qershor në Gjakovë, por u anulua nga Qeveria e Shqipërisë. Sipas Kurtit, 13 marrëveshjet të cilat duhej të firmoseshin në këtë mbledhje të përbashkët janë jetike për qytetarët e të dy vendeve.

Megjithatë, kryeministri Rama njoftoi sot se 13 marrëveshjet janë firmosur nga pala e Shqipërisë dhe do t’i dorëzohen sot Kosovës, duke shpresuar se kjo do të mjaftojë që Kurti ta konfirmojë takimin bilateral.

“Sot në mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga Kryeministri Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, publikoi Rama në Twitter.

Të premten, më 7 korrik, Rama fillon vizitën në Bosnjë e Hercegovinë, ku do të pritet nga kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto.

Të njëjtën ditë udhëton në Podgoricë, ku takohet me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Rama mbyll ditën e premte dhe turin e tij ballkanik me vizitë në Beograd në mbrëmje, ku do të pritet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

TRT Balkan