Pesë vjet nga tërmeti katastrofik në Shqipëri / Photo: Reuters

Në orën 03:54 të datës 26 nëntor 2019 në Shqipëri u regjistrua një nga tërmetet më shkatërrimtar në dekadat e fundit, me magnitudë 6,3 ballë sipas shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte brenda territorit të Qarkut të Durrësit, 30 kilometra nga Tirana.

51 persona, midis të cilëve edhe 8 fëmijë, ndërsa pati më shumë se 600 të plagosur.

Si pasojë e tërmetit, u shkatërruan dhe dëmtuan pallate banimi, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, qendra shëndetësore, objekte të kultit dhe godina të tjera më funksione të ndryshme, ndërkohë gjurmët e shkatërrimeve mbetën prezente për disa vite.

Sipas raportit "Vlerësimi i Nevojave pas Katastrofës", i përgatitur bashkërisht nga Qeveria e Shqipërisë, Bashkimi Evropian (BE), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Banka Botërore, efektet totale të katastrofës në dëme dhe humbje në njëmbëdhjetë bashkitë e prekura ishin në mbi 985 milionë euro.

Prej vitit 2020 e deri në 2023, shpenzimet për procesin e rindërtimit ishin rreth 730 milionë euro, ndërsa së fundmi qeveria shqiptare ka shtuar edhe 50 milionë euro.

Pas pese vjetësh, janë ndërtuar 2 mijë e 250 banesa individuale dhe 4 mijë e 500 apartamente. Megjithatë, rindërtimi ende nuk ka përfunduar plotësisht.

Procesi i rindërtimit dhe ndihma e Türkiyes

Pas tërmetit filloi puna me procesin e rindërtimit, që kaloi në disa faza, ndërsa ky proces u mbështet financiarisht nga Qeveria e Shqipërisë, shtete të ndryshme dhe donatorë dhe organizata kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë, Türkiye ofroi ndihmë të menjëhershme për Shqipërinë për përballimin e fatkeqësisë natyrore, ku disa institucione u angazhuan pas tërmetit me ekipe në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndihmë mjekësore dhe për ofrimin e ndihmave humanitare.

Pjesë e ofrimit të ndihmave dhe mbështetjes nga institucionet turke ishin Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Ekipi Kombëtar Mjekësor i Shpëtimit pranë Ministrisë turke të Shëndetësisë (UMKE), Ambasada e Türkiyes në Tiranë, Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe organizata të ndryshme.

Pas tërmetit, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, premtoi ndërtimin nga shteti turk të qindra njësive të banimit dhe u bëri thirrje edhe vendeve të tjera ta ndihmojnë Shqipërinë. Në vitin 2020 filluan punimet e projektit të financuar nga Türkiye në qytetin e Laçit të Bashkisë Kurbin për ndërtimin e 522 apartamenteve, por dhe disa njësive tregtare, projekt që u zhvillua nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Türkiyes (TOKI) dhe punimet u realizuan nga kompania Albayrak.

Ceremonia zyrtare e dorëzimit të banesave të ndërtuara me kontributin financiar të Türkiyes për familjet e prekura nga tërmeti u mbajt në janar 2022, me pjesëmarrjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga të dy vendet.

Me Shqipërinë gjithashtu u solidarizuan edhe Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Zvicra, Italia, Rumania, Greqia, Franca, SHBA-ja dhe shtete të tjera, si dhe OKB dhe BE me ekipet e tyre të kërkim-shpëtimit, me ndihma dhe me fondet për procesin e rindërtimit të banesave dhe objekteve të tjera.

TRT Balkan