Policia dhe aktivistët në Greqi janë përleshur në protestat e zhvilluara në qytete të ndryshme të vendit për ata që humbën jetën në aksidentin hekurudhor të 28 shkurtit.
Konfederata e Nëpunësve Civilë dhe Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve Grekë bënë thirrje për një grevë 24-orëshe për të tërhequr vëmendjen ndaj aksidentit.
Shumë njerëz nga sektorë të ndryshëm morën pjesë në grevë të enjten, ndërsa transporti publik në kryeqytetin Athinë u ndërpre për shkak të grevës dhe u anuluan disa fluturime.
Mijëra aktivistë që u mblodhën në Athinë marshuan drejt ndërtesës së Parlamentit në sheshin "Sintagma". Policia iu përgjigj me gaz lotsjellës një grupi protestuesish të cilët hodhën gurë dhe kokteje molotovi në drejtim të policisë.
Një grup aktivistësh sulmuan automjetin e parkuar të Olga Yerovasilit, deputete e partisë kryesore opozitare SYRIZA, e cila mori pjesë në protestë. Si pasojë e sulmit janë thyer xhamat e automjetit ndërsa polici rojë i deputetes është plagosur lehtë.
Gjatë protestave për aksidentin hekurudhor në Selanik dhe Patra, ka ndodhur një përplasje mes policisë dhe protestuesve, ku policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës.