Gjatë vitit të kaluar, pjesëtarët e Policisë Kufitare të Bosnjës e Hercegovinës penguan më shumë se 6.000 njerëz në përpjekjet për të kaluar ilegalisht kufirin shtetëror.
"Numri më i madh janë shtetas të Afganistanit, Burundit dhe Pakistanit, me faktin se ka pasur një rënie të caktuar të numrit të shtetasve të Pakistanit, të cilët më parë ishin në krye për sa i përket migrimit të paligjshëm”, thotë policia për Anadolu Agency.
Siç thanë ata, numri më i madh i migrantëve të paligjshëm është zbuluar jashtë zonës së pikave kufitare, pra në zonën kufitare.
Prej fillimit të krizës së emigrantëve, shumica e përpjekjeve për hyrje të paligjshme në BeH kanë qenë në pjesën lindore të kufirit shtetëror, nga drejtimi i Serbisë dhe Malit të Zi. Gjithashtu, ka pasur tentime të shpeshta për të kontrabanduar dhe për të fshehur migrantët në kamionë, dhe këto raste janë regjistruar më së shpeshti në zonat e njësive të policisë kufitare në Orashje, Brod, Shamac, Gradishka, ku migrantët tentonin të fshihen në rimorkio kamionësh dhe nën automjete, njoftuan Policia Kufitare e BeH.
Gjatë njëmbëdhjetë ditëve të para të vitit 2023, anëtarët e Policisë Kufitare të BeH penguan më shumë se 180 persona në përpjekjet për të kaluar ilegalisht kufirin shtetëror.
Në periudhën e dimrit vihet re një tendencë sezonale e uljes së presionit të migrantëve dhe, nga përvoja e deritanishme, me ardhjen e pranverës dhe motit të mirë, presioni nga migrantët intensifikohet.
Pjesëtarët e Policisë Kufitare të BeH bëjnë përpjekje maksimale për mbrojtjen e kufirit shtetëror dhe ndërmarrin të gjitha masat dhe aktivitetet, në përputhje me rregulloret ligjore dhe planet e përgatitura, në mënyrë që të mbrojnë kufirin shtetëror në mënyrë sa më efektive dhe të shtypin migracionin ilegal.