Deklaratat e fundit të përfaqësuesve të Entit të Statistikave të Serbisë flasin se popullsia në këtë shtet në krahasim me dhjetë vjet më parë është reduktuar për më shumë se gjysmë milioni sa paraprakisht ishte kumtuar.
Serbia, edhe pse sipas rezultateve të para të regjistrimit ka rreth gjysmë milioni banorë më pak se në vitin 2011, megjithatë vlerësohet se reduktimi është më i madh se kaq dhe arrin në rreth 760 mijë banorë, deklaroi së fundmi përfaqësuesja e Entit të Statistikave të Serbisë, Ljiljana Gjorgjeviq.
Në një prononcim për servisin publik RTS, ajo theksoi se qytete si Novi Sadi dhe Beogradi kanë rritje natyrore negative, dhe rritja e numrit të banorëve në ato qytete është për shkak të emigracionit, si dhe se situata në kryeqytet nuk është e njëjtë në të gjitha komunat e qytetit.
Sipas saj, ashtu si në disa komuna të Beogradit, rritje e numrit të banorëve është vërejtur edhe në Novi Pazar, Tutin dhe Novi Sad.
“Sa u përket komunave të Beogradit dhe Novi Sadit, arsyeja kryesore për rritjen e numrit të banorëve është imigrimi i popullsisë, sepse edhe Beogradi edhe Novi Sadi kanë shtim natyror negativ”, tha Gjorgjeviq.
Mes të tjerash, ajo ka theksuar se në rezultatet e regjistrimit janë përfshirë rreth 200 mijë banorë, të cilët janë konstatuar se jetojnë në Serbi, punojnë, studiojnë, “por për ndonjë arsye regjistruesi nuk i ka gjetur ose për ndonjë arsye nuk kanë dashur të evidentohen".
"Pra, kur e shikojmë situatën realisht, ka një rënie të numrit të banorëve me rreth 760.000 krahasuar me regjistrimin e fundit të vitit 2011," vuri në dukje Gjorgjeviç.
Procesi i regjistrimit në Serbi filloi më 1 dhe përfundoi më 31 tetor. Sipas të dhënave zyrtare në Luginën e Preshëves llogaritet të jetojnë mbi 120 mijë qytetarë, pjesa dërrmuese e të cilëve llogaritet të jenë shqiptarë.