Porti i thatë është një terminal i brendshëm i lidhur drejtpërdrejt me rrugë ose hekurudhë me një port detar, që funksionon si një qendër për transportimin e ngarkesave detare në destinacionet e brendshme. Ato janë hapësira të mëdha me objekte për magazinim masiv të mallrave që vijnë nga deti, ndërsa përdoren edhe për zhdoganimin e këtyre mallrave.
Portet e thata veprojnë gjithashtu si një kanal shpërndarjeje me kosto efektive midis porteve detare dhe hekurudhave. I gjithë procesi bëhet më efikas, falë kësaj lidhjeje që ekziston brenda zinxhirit të furnizimit. Grumbullimi i kontejnerëve është i thjeshtë dhe i shpejtë, duke lejuar që mallrat të arrijnë në destinacionet e tyre përfundimtare më shpejt, me një çmim më të ulët.
Një nga përfitimet e pasjes së porteve të thata është aftësia e tyre për të lehtësuar çështjet e hapësirës së magazinimit dhe doganës që shpesh rëndon portet detare. Portet e vendosura përgjatë detit kanë një hapësirë të kufizuar, e cila shpesh nuk i përballon sasitë e mëdha të mallrave që arrijnë në portin detar. Për shfrytëzimin e këtyre hapësirave të kufizuara garojnë më shumë kompanitë, duke e rritur koston e përgjithshme të transportit. Portet e thata janë të dizajnuara për të eliminuar këtë problem.
Shqipëria po ndërton një port të madh dhe modern në Durrës, që do të shërbejë si pikë kryesore transporti për Ballkanin Perëndimor. Në mbledhjet e përbashkëta të Qeverisë së Shqipërisë me qeverinë e Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut u dakorduan nismat për ngritjen edhe të dy porteve të thata, në Prishtinë e në Strugë, të cilat do të lidhen me Portin e Durrësit.
Porti i Thatë i Prishtinës
Autoritetet kosovare bëjnë me dije se porti i thatë i Prishtinës, i dakorduar me Qeverinë e Shqipërisë, do të ndërtohet në afërsi të kryeqytetit, në Fushë-Kosovë.
Distanca nga Porto Romano, që është porti i Durrësit është rreth 265 kilometra, ndërsa synon të lidhet me hekurudhë moderne në mes.
Kosova synon ta shndërrojë atë në port multimodal, duke e lidhur edhe me terminalin kargo të Aeroportit të Prishtinës dhe autostradat e hekurudhat ndërkombëtare.
Ekspertët parashikojnë që ndërtimi i këtij porti t’i japë një shtysë të rëndësishme ekonomisë, duke kontribuar drejtpërdrejt dhe indirekt në rritjen e PBV-së të shtetit.
Për momentin po kryhen analiza të fizibilitetit dhe nuk ka një datë të pritshme se kur do të jetë gati Porti i Thatë i Prishtinës, as të dhëna se sa do të kushtojë gjithsej ndërtimi i tij.
Porti i Thatë i Strugës
Ngjashëm si për Portin e Thatë të Prishtinës, qeveria e Shqipërisë ra dakord edhe me qeverinë e Maqedonisë së Veriut për projektin e Portit të Thatë të Strugës.
Për këtë projekt tashmë ka nisur procedura për studimin e fizibilitetit, i cili pritet të jetë gati brenda 3 muajsh.
Komuna e Strugës ka ndarë këtë javë 60 hektarë tokë shtetërore për ndërtimin e portit në dalje të qytetit, në rrugën Strugë-Dibër.
Porti i Strugës pritet të kontribuojë me një shtytje të rëndësishme ekonomike për Maqedoninë e Veriut, ndërsa biznesmenët do të përfitojnë duke ulur kohën dhe kostot e transportit.
Portet e thata në Prishtinë dhe në Strugë pritet t’i ndërtojë kompania holandeze e cila ka marrë përsipër ndërtimin e Porto Romanos në Durrës.
Porti i ri dhe modern i Durrësit kaloi procedurën parlamentare dhe pritet të nisë ndërtimi në vitin 2023. Sipas projektit, përfshihet sipërfaqe prej mbi 812 mijë metrave katrorë.