Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u prit sot në Prishtinë nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, të cilën e uroi në emër të të gjithë shqiptarëve për 15-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
“15 vjet janë shumë pak për një komb, e për më tepër për një komb të lashtë. Por, këto 15 vjet Pavarësi të Kosovës kanë demonstruar në mënyrë shembullore e të sintetizuar vlerat më të mira e shumë shekullore të kombit shqiptar”, tha presidenti Begaj.
Presidenti Begaj vlerësoi ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe i konsideroi ato jo vetëm vëllazërore e të natyrës strategjike, por dhe shumë dinamike, të demonstruar nëpërmjet vullnetit të përbashkët për t‘i intensifikuar më tej.
Duke i vlerësuar këto marrëdhënie unikale për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të të dyja shteteve, presidenti Begaj u shpreh se: “Kosova e Pavarur i ka dhënë jo vetëm shtetasve të saj dinjitetin e merituar dhe të shumëpritur shtetëror, por njëkohësisht e ka bërë rajonin tonë më të paqtë e të sigurt, si dhe kombin shqiptar të lirë të rigjejë rrugën e munguar padrejtësisht të bashkëpunimit kombëtar”.
Një vëmendje të veçantë presidenti Begaj ia kushtoi kontributit të Kosovës për paqen dhe sigurinë e rajonit, por jo vetëm, duke nënvizuar se “Kosova rrezaton sot vlerat më të larta perëndimore e demokratike në mbrojtje të pakicave etnike e të drejtat e njeriut, si dhe pavarësisht se një shtet i ri, po tregon humanizëm e solidaritet të plotë për Ukrainën dhe popullin e saj të agresuar ushtarakisht nga Rusia”.
Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për autoritetet dhe institucionet e Kosovës në adresimin e provokimeve e sfidave me të cilat po përballen, si në kuadër të negociatave me Serbinë, ashtu edhe në kuadër të procesit të njohjes dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale. “Askush nuk mund ta pengojë Kosovën të ndërtojë e lirë dhe e pavarur të ardhmen e saj dhe të qytetarëve të saj, si dhe askush nuk mund të kërcënojë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Kosovës!” – nënvizoi presidenti Begaj.
Ndërsa, duke u ndalur në rrugëtimin e evropian dhe euroatlantik të Kosovës, presidenti Begaj shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë, si dhe besimin se së shpejti edhe shtetasit e Kosovës, ashtu si të gjithë qytetarët e këtij rajoni, do të mund të udhëtojnë pa viza e me dinjitet në hapësirën e Bashkimit Evropian. “E ardhmja jonë e përbashkët, e dy shteteve tona dhe e kombit shqiptar është në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si trashëgimi e orientim kombëtar, por edhe si vlerë e kontribut i përbashkët për paqen, sigurinë dhe progresin e rajonit tonë” – u shpreh Presidenti Begaj.
Nga ana e saj, Presidentja Osmani e falënderoi Presidentin Begaj për urimet vëllazërore dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë në të gjithë këtë rrugëtim të vështirë të Pavarësisë së Kosovës.