Presidenti Begaj priti në takim anëtarët KLSM-së.     /Foto: Presidenti.al

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në Institucionin e Presidentit anëtarët e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, (KLSM) me të cilët mbajti një leksion mbi objektivat strategjike të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj vlerësoi Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes si një nga kurset më të mira në piramidën e arsimit ushtarak të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Duke folur për situatën gjeopolitike, Presidenti Begaj tha ndër të tjerash: “Situata gjeopolitike globale është komplekse dhe mendoj që kjo situatë komplekse do të përcaktojë se si do të jetë e ardhmja në dekadat e mëpasshme. Ambienti ndërkombëtar i sigurisë dominohet nga sfidat strategjike që janë të ndërthura me njëra-tjetrën, të cilat kanë sjellë implikime jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por edhe për atë ndërkombëtare.”

Gjithashtu Presidenti Begaj u ndal në fjalën e tij te rajoni, duke thënë se Ballkani Perëndimor përfaqëson oborrin parësor të Bashkimit Evropian. Rajoni i gjithi ka bërë progres në rrugëtimin Euro-Atlantik, por ka shumë hapësira dhe situata potenciale paqëndrueshmërie.

Vëmendje Presidenti Begaj i kushtoi rëndësisë së vendosjes së dialogut të përhershëm dhe normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dialog i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën Presidenti Begaj tha se duhet të qendërzohet në atë që ne e quajmë njohje formale reciproke.

Kreu i Shtetit shtoi më tej se arritja e marrëveshjes midis dy vendeve ishte një moment kyç, si dhe po ashtu ngjarja në Ohër e anekseve ishte një arritje që tregon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë shumë më e mirë.

Presidenti Begaj foli dhe për kontributin e Shqipërisë në misione të ndryshme në botë: “Shqipëria ka qenë kontributore, le të themi eksportuese e sigurisë. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë misione ndërkombëtare. Ka qenë në Afganistan, Irak, është në Bosnjë, Letoni, Bullgari dhe Kosovë. Do të jemi të pranishëm kudo që do të na kërkohet dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë rrugën tonë për të modernizuar Forcat e Armatosura, jo vetëm me pajisje dhe kapacitete të tjera të nevojshme, por edhe ashtu të mirëtrajtojmë personelin ushtarak.”

TRT Balkan