Presidenti Begaj vizitë në Mal të Zi / Photo: Jakov Milatović/FB

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Mal të Zi, e është pritur me nderime të larta shtetërore në Podgoricë nga homologu i tij, Jakov Millatoviq.

Sipas një njoftimi nga Presidenca e Shqipërisë, Begaj dhe Millatoviq kanë zhvilluar një takim kokë më kokë dhe më pas me praninë e delegacioneve.

Theksohet se biseda u fokusua në dialogun dhe marrëdhëniet dypalëshe, rrugëtimin e përbashkët euroatlantik, situatën në rajon, sfidat e përballjes me faktorë të tretë, si edhe për shqiptarët në Malin e Zi dhe minoritetin malazez në Shqipëri.

"Në takim u konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi si dy shteteve fqinje dhe anëtare në NATO që po negociojnë intensivisht me Bashkimin Evropian, ndërsa një rëndësi e veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik", thuhet në njoftim.

Pas takimit, Begaj dhe Millatoviq kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, ku presidenti i Shqipërisë, ka deklaruar se kanë dakorduar të inkurajojnë qeveritë e dy vendeve për më shumë projekte të përbashkëta, veçanërisht në zonat ndërkufitare.

"Është shumë e rëndësishme të kemi marrëdhënie shumë të mira politike, por akoma më e rëndësishme është të kemi bashkëpunim ekonomik për të rritur mirëqenien e popujve tanë. Është shumë me rëndësi për vendet tona, është me rëndësi për rajonin dhe për vetë Bashkimin Evropian”, është shprehur Begaj.

Ndër të tjera, Begaj ka theksuar se bashkëpunimi rajonal duhet të jetë konstruktiv, dinamik dhe proaktiv, sipas tij, me orientimin e qartë pavarësisht sfidave.

"Perspektiva euroatlantike është e vetmja perspektivë që do të garantojë paqen, stabilitetin, sigurinë, pajtimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Çdo qasje tjetër do të bënte që mosmarrëveshjet dypalëshe, nacionalizmat folklorike dhe ndikimet e faktorëve të tretë të fitonin më shumë terren. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan edhe faktori shqiptar", është shprehu Begaj.

Begaj ka shtuar më tej se Kosova duhet të vazhdojë me shumë energji dhe dinamizëm procesin e konfirmimit e saj të plotë ndërkombëtar, të integrimit në organizatat rajonale e ndërkombëtare, të avancimit të kërkesës së saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të bashkëpunimit institucional me NATO-n, sipas tij, me synim anëtarësimin e saj për të qenë anëtare e NATO-s, si dhe të forcimit të demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Më tej, theksohet se Begaj ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të qeta dhe të rregullta.

Gjithashtu Begaj ka vizituar edhe me komunat shqiptare, ndërkohë është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të vendit dhe me përfaqësues të shqiptarëve në Mal të Zi.

AA