Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot një delegacion të Fondacionit Turk Maarif, kryesuar nga kryetari i fondacionit Prof. Dr. Birol Akgün.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se në takim mori pjesë edhe ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay.
Presidenti Begaj, sipas njoftimit, vlerësoi misionin e këtij fondacioni, duke theksuar se sikundër e tregon edhe emërtimi i tij, do të thotë “ndriçim i mendjes përmes arsimit”.
Gjithashtu thuhet se Begaj përgëzoi Akgün për arritjet e deritanishme në Shqipëri, duke ndërtuar një cikël të plotë në edukim, nga sistemi parashkollor deri në doktoratë.
"Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin me Türkiyen si partner mjaft të rëndësishëm edhe në fushën e arsimit, tema që u prekën edhe gjatë vizitës së Presidentit të Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, në Tiranë", thuhet në njoftim.
“Investimet në arsim janë gjithmonë të mirëpritura, por ato në arsimimin cilësor sigurisht që vlerësohen akoma më shumë”, është shprehur Begaj, sipas njoftimit, duke vlerësuar kujdesin e këtij fondacioni në ngritjen e shkollave me infrastrukturë dinjitoze, por edhe me investim në përmbajtjen dhe kërkimin shkencor.
Akgün, së bashku me zyrtarë të tjerë gjatë ditës së sotme mori pjesë edhe në ceremoninë me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2024-2025, në Universitetin e New Yorkut në Tiranë (UNYT), pjesë e Fondacionit Turk Maarif.
Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit të New Yorkut në Tiranë, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, si në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.