Presidenti serb Vuçiq priti në takim ministrin azerbajxhanas Babayev.     /Foto: Tanjug

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar në Beograd me ministrin e Punës dhe të Mbrojtjes Sociale të Azerbajxhanit, Sahil Babayev.

Siç njofton Zyra e Presidentit të Serbisë, Vuçiq ka falënderuar Azerbajxhanin për angazhimin e tyre ndaj ligjit ndërkombëtar, të treguar gjatë votimit në Këshillin e Evropës.

"Serbia e konsideron një akt të tillë si shprehje të miqësisë së sinqertë", tha Vuçiq.

Vuçiq u uroi punë të mbarë anëtarëve të Komitetit Ndërqeveritar për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregti, i cili bashkëkryesohet nga ministrat Babayev dhe Nikolla Selakoviq. Presidenti serb shtoi se shpreson në rezultate edhe më të mira në forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në energjetikë, bujqësi dhe turizëm, si dhe në industrinë e mbrojtjes.

Babayev shprehu pritjen që ky vit të jetë i suksesshëm edhe për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Azerbajxhanit, duke pasur parasysh se partneriteti strategjik po shënon një rritje të fortë.

Babayev tha se delegacioni i Azerbajxhanit erdhi në numër të madh dhe se pret rezultate të mira nga puna e Komitetit Ndërqeveritar dhe Forumit të Biznesit, në mënyrë që të vazhdojë dinamika e mirë e zhvillimit të bashkëpunimit, duke pasur parasysh se shkëmbimi është rritur me 18 për qind.

Dy bashkëbiseduesit shprehën pritshmërinë që deri në fund të vitit të vendoset një linjë e drejtpërdrejtë fluturimi ndërmjet Beogradit dhe Bakut.

TRT Balkan / agjencitë