Në Tiranë është prezantuar Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024-2030, një dokument i hartuar nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.
Dokumenti në fjalë u prezantua nga ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, i cili në fjalën e tij u shpreh se prezantimi vjen në një moment kyç për rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), sipas tij, siç është zhvillimi i Konferencës së Dytë Ndërqeveritare me BE-në që do të mbahet më 15 tetor.
"Hartimi i strategjisë së re të drejtësisë është mbështetur në një analizë të plotë të historikut të reformave të sistemit të drejtësisë, duke synuar përmirësimin e qasjes në drejtësi, rritjen e besimit të publikut dhe nxitjen e integrimit evropian të vendit", u shpreh Manja.
Manja theksoi se strategjia adreson gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të monitorimit, si dhe të gjitha rekomandimet në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
"Ne e shohim këtë proces si një mundësi për të reflektuar mbi arritjet, por njëkohësisht edhe për të përmirësuar më tej sistemin tonë të drejtësisë, duke marrë në konsideratë perspektivat e të gjithë aktorëve kyç, qoftë nga institucionet vendase, apo partnerët tanë ndërkombëtarë", tha ai.
Sipas ministrit Manja, risitë kryesore të kësaj strategjie lidhen me forcimin e elementeve thelbësore të sistemit të drejtësisë dhe garantimin e qëndrueshmërisë së reformave të nisura.
Ai theksoi se këto risi reflektojnë përvojat e mësuara nga zbatimi i reformës në drejtësi, si dhe synimin për të rritur integritetin, transparencën dhe profesionalizmin e institucioneve.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe drejtues të institucioneve të ndryshme të drejtësisë dhe përfaqësues të ambasadave.
Ky dokument i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, sipas autoriteteve shqiptare, do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin dhe zbatimin e reformave në sektorin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.