Prishtinë, mbahet kongres për turqit dhe turqishten në Ballkan.     /Foto: AA

Nën organizimin e Universitetit të Prishtinës (UP), Fakulteti Filologjik, Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Turke, dhe me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) është organizuar në Prishtinë "Kongresi për Turqit dhe Turqishtja në Ballkan".

Në sallën e konferencave të Fakultetit Filologjik morën pjesë ambasadori i Republikës së Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, përfaqësues politikë të komunitetit turk në Kosovë, përfaqësues të UP-së, profesorë universitarë, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, falënderoi institucionet kosovare për mundësinë e veprimit të TIKA-s për 19 vjet me radhë në Kosovë.

Çevik tha se gjuha si një element komunikimi është bartësi më i madh i kontakteve, duke theksuar se nga turqishtja në gjuhët e Ballkanit kanë kaluar shumë fjalë dhe nga gjuhët e vendeve të Ballkanit po ashtu kanë kaluar fjalë në gjuhën turke.

"Elementet kulturore të trashëguara brez pas brezi, vlerat kulturore ekzistuese tregojnë se sa të afërta janë marrëdhëniet e ngushta të Türkiyes me vendet e Ballkanit. Kur shikojmë veprat arkitekturore në Ballkan, shohim se turqit janë treguesi më i rëndësishëm i shoqërisë turke që jeton në këtë gjeografi. Dua të theksoj se muzika turke është një urë lidhëse shumë e rëndësishme estetike në komunikimin mes Ballkanit dhe Türkiyes. Sot ky komunikim vazhdon të jetë ende i gjallë", theksoi Çevik.

Çevik tha se Türkiye ka shumë personalitete që kanë qëndruar dhe janë zhvilluar në Ballkan duke kontribuuar në letërsinë turke në periudha të ndryshme.

Prodekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Memishi, tha se studimet e gjuhës turke në Kosovë kanë një traditë të madhe.

Memishi tha se studimet e turqishtes në UP janë nga themelimi i Universitetit dhe janë përkrahur dhe mbështetur nga personalitetet më të njohura të turkologjisë.

"Studimi i turqishtes te shqiptarët nuk do të thotë se ne vetëm studiojmë gjuhën turke, por në të njëjtën kohë studiojmë të kaluarën tonë pesëshekullore. Prandaj, ne do të vazhdojmë të mbështesim gjitha studimet qoftë në Departamentin e Gjuhës Turke qoftë në Orientalistikë si fakultet dhe si universitet që këto studime të thellohen edhe më tepër që ta njohim atë periudhë pesëshekullore në mënyrë objektive, pa ngjyrime politike siç ka ndodhur deri para shekullit XX", theksoi Memishi. Ambasadori i Republikës së Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, tha se bota turke është më e madhe se sa Türkiye gjeografike.

Angılı para të pranishmëve bëri një përmbledhje të jetës së tij profesionale dhe personale për gjurmët e turqve që ka parë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

"Dua ta falënderoj TIKA-n dhe nënkryetarin e saj për punët e kryera në Kosovë, sepse ku do që kam shkuar në territorin e Kosovës i kam parë punët e kryera nga TIKA", theksoi Angılı.

Kongresi për "Turqit dhe Turqishtja në Ballkan" do të zhvillohet për tri ditë me radhë dhe po shënohet me rastin e 35-vjetorit të Degës së Turkologjisë në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina".

AA