Papunësia e të rinjve është një nga problemet kryesore në vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas analizave të ndryshme institucionale. Mungesa e perspektivës për rininë ka bërë që dekadën e fundit, një numër i madh i të rinjve të braktisin vendet e rajonit dhe të largohen në mërgim.
TRT Balkan vështroi shifrat zyrtare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut për vitin 2022. Të dhënat tregojnë se papunësia tek të rinjtë në këto vende është shumëfish më e lartë sesa në Bashkimin Evropian.
Shqipëri dhe Kosovë: Çdo i pesti i ri i papunë
Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin e saj tregon se 19% e të rinjve të moshës 15 deri 24-vjeçare janë të papunë.
Kosova ka popullsinë më të re në rajon dhe kjo përqindje peshon shumë në numra realë.
Instituti i Statistikave i Shqipërisë, nga ana tjetër, klasifikon popullsinë e re në moshën 15-29 vjeç. Përqindja e papunësisë për këtë grupmoshë në Shqipëri gjatë vitit 2022 ishte 20,7%. Gjithashtu, kjo grupmoshë kishte përqindjen më të lartë të papunësisë nga të gjitha grupmoshat tjera të fuqisë punëtore aktive.
Maqedoni e Veriut: 1/3 e të rinjve të papunë
Shifrat janë edhe më brengosëse në Maqedoninë e Veriut, ku 32,6% e të rinjve të moshës 15 deri 24-vjeçare janë të papunë.
Numri total i të papunëve nga kjo grupmoshë në Maqedoninë e Veriut varionte nga 17 mijë deri 20 mijë përgjatë vitit 2022.
Vetëm 6% e të rinjve në BE të papunë, çereku i të rinjve punon gjatë studimeve
Për krahasim, shkalla e papunësisë tek të rinjtë (15-29 vjeç) në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2022 ishte 6,3%.
Ndërkaq, një raport i fundit i zyrës evropiane të statistikave, Eurostat, tregon se 25% e të rinjve evropianë punojnë gjatë studimeve.
Pavarësisht se një e katërta e të rinjve evropianë janë të punësuar gjatë studimeve, kjo statistikë fsheh dallime thelbësore mes shteteve. Në nivel kombëtar, përqindjet më të larta të të rinjve të punësuar gjatë arsimit formal u vunë re në Holandë (73%), Danimarkë (52%) dhe Gjermani (45%). Në të kundërt, Rumania (2%), Sllovakia (5%) dhe Hungaria (6%) raportuan përqindjet më të ulëta.