Disa të rinj kanë mbajtur një tubim solidarizues me popullin palestinez dhe Palestinën në sheshet e kryeqytetit të Kosovës. Të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, të rinjtë kanë përçuar mesazhe të ndryshme si "Liri për Palestinën", "Nuk ka paqe pa çlirim", "50 mijë gra shtatzëna jetojnë nën bombardim", "Mos hesht ndaj spastrimit etnik", e të tjera.
Po ashtu, të rinjtë mbanin në duar edhe flamuj si dhe simbole të tjera të Palestinës.
"Izraeli bombardoi qytetin e Rafas, ku po strehohen rreth 1,5 milion palestinezë dhe vrau rreth 100 persona, plagosi të tjerë, shkatërroi vendbanime dhe tmerroi edhe më tej një popull të tërë. Ky bombardim i radhës nuk është duke lënë zonë të sigurt ku palestinezët mund të mbesin gjallë", thuhet në thirrjen e tyre për këtë tubim solidarizues.
Gjithashtu, sipas tyre, gjenocidi i Izraelit ndaj Palestinës "është një nga tmerret më të mëdha që po i shohim, andaj ne nuk mund t'i largojmë sytë tanë nga Rafah dhe vuajtja e popullit palestinez".
Me 87 të vrarë në 24 orët e fundit, është rritur në 28.663 numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, i cili informoi së fundmi lidhur me sulmet që Izraeli vazhdon prej 132 ditësh kundër Rripit të Gazës.