Nga e hëna (21 gusht) në Prishtinë hyn në fuqi Rregullorja e cila vendos nivelin e lejuar të decibelëve në të gjitha lokalet e gastronomisë. Në rast të tejkalimit të këtyre rregulloreve pason gjoba.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama sot e ka vizituar Dhomën e Monitorimit të Ndotjes Akustike në Inspektoriatin e Kryeqytetit.
"Nga e hëna fillojmë edhe zyrtarisht punën dhe duke u bazuar në rregulloren e miratuar në Kuvend, të gjitha lokalet e gastronomisë në Kryeqytet, të cilat nuk respektojnë decibelët e lejuar do të gjobiten", shkruan Rama në Facebook.
Javë më parë drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës Florian Dushi bashkë me drejtorin për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, takuan drejtorin e Policisë për Rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, me të cilin i diskutuan detajet e fundit para se të fillojë zbatimi i rregullores në teren.
Qytetarët e Prishtinës prej kohësh kanë adresuar kritika për çështjen e zërimit të lartë të cilën e shkaktojnë lokalet e gastronomisë, sidomos në orët e vona të natës.