Seminari i 41-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është hapur sot në Prishtinë.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm, përveç organizatorëve, edhe ministrja e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit Arbërie Nagavci, rektori i Universitetit të Prishtinës Qerim Qerimi, ambasadorë të huaj, studentë.
Ministrja Nagavci në fjalën e saj shprehu mirënjohje ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuuar në mbajtjen e këtij seminari, sidomos gjatë viteve të vështira të procesit deri te liria e Kosovës.
Nagavci tha kjo është një nga metodat e duhura për ruajtjen e gjuhës dhe letërsisë dhe kulturës shqiptare.
"Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë të dëgjosh albanologë të huaj të prezantojnë kumtesat e tyre në gjuhën shqipe. Dhe, kjo na jep edhe një shpresë se gjuha jonë sado që mund të duket gjuhë e një kombi të vogël, vazhdon të jetë me interes për studiues e gjuhëtarë anembanë globit", theksoi Nagavci.
Drejtor i këtij Seminari, profesori Bardh Rugova, bëri të ditur se janë mbi 120 seminaristë të huaj që do të marrin pjesë në kuadër të seminarit dhe të cilët do të mësojnë tri nivele të gjuhës shqipe.
"Shqipja ka status të pafavorshëm në vendet ku është pakicë, ndërsa folësit e brezit të dytë dhe të tretë në mërgim, gradualisht shndërrohen në gjysmëfolës, para syve tanë", theksoi Rugova.
Ai tha se departamentet e gjuhës shqipe nën ndikimet e ndryshme po zvogëlohen dhe po shuhen.
Pikërisht për këto probleme, Rugova tha se temat bosht për seminarin e 41-të të gjuhës dhe letërsisë shqiptare janë "Shqipja në rrezik", "Letërsia shqipe" dhe "Ndërkulturalizimi".
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të zgjasë deri më 25 gusht.
Ky seminar është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studente/ë e studiues/e që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.