Pritshmëria e jetëgjatësisë është matësi kryesor për vlerësimin e shëndetit të popullsisë. Ky model na tregon moshën mesatare të vdekjes në një popullatë.
Vlerësimet sugjerojnë se në një botë paramoderne dhe të varfër, jetëgjatësia ishte rreth 30 vjet në të gjitha rajonet e botës.
Jetëgjatësia është rritur me shpejtësi që nga Epoka e Iluminizmit. Në fillim të shekullit të 19-të, jetëgjatësia filloi të rritet në vendet e hershme të industrializuara ndërsa qëndroi e ulët në pjesën tjetër të botës. Kjo çoi në një pabarazi shumë të lartë në mënyrën se si shëndeti u shpërnda në gjithë botën. Shëndeti i mirë në vendet e pasura dhe shëndeti vazhdimisht i keq në ato vende që mbetën të varfra.
Gjatë dekadave të fundit kjo pabarazi globale është ulur, por mbetet dallim i madh mes disa vendeve. Për shembull, në vitin 2019, vendi me jetëgjatësinë më të ulët është Republika e Afrikës Qendrore me 53 vjet, ndërsa në Japoni jetëgjatësia është 30 vjet më e gjatë.
Që nga viti 1900, jetëgjatësia mesatare globale është dyfishuar dhe tani është mbi 70 vjet.
Jetëgjatësia në vendet e Ballkanit
Raporti i Komisionit Evropian për shëndetin, i cili përveç vendeve anëtare të BE-së përfshin edhe vendet kandidate, tregon se popullsia e Shqipërisë ka jetëgjatësinë më të gjatë në rajon.
Sipas këtij raporti, pritshmëria e jetëgjatësisë në Shqipëri është 77,4 vjet. Femrat jetojnë më gjatë, mesatarisht 79,6 vjet, ndërsa burrat 75,2 vjet.
Pas Shqipërisë vjen Mali i Zi, me jetëgjatësi mesatare 75,9 vjet. Jetëgjatësia e grave është mesatarisht 78,8 vjet, ndërsa e burrave të Malit të Zi 73,2 vjet.
Në Serbi, pritshmëria e jetëgjatësisë është 74,5 vjet. Për gratë është 77,5 vjet, ndërsa për burrat 71,6 vjet.
E fundit në rajon është Maqedonia e Veriut, me jetëgjatësi mesatare 74,4 vjet. Gratë jetojnë mesatarisht 76,7 vjet, ndërsa burrat 72,2 vjet.
Raporti i Komisionit Evropian nuk përmban të dhëna për Kosovën, por sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2021, jetëgjatësia e pritshme në Kosovë është mbi 77 vjet, që është më e larta në rajon bashkë me Shqipërinë.
Faktorët që ndikojnë në jetëgjatësinë e popullsisë, sipas studimeve të ndryshme, janë zhvillimi ekonomik, mënyra e jetesës, qasja deri te shërbimet shëndetësore, gjenet dhe të tjera.