Mungesa e stafit mjekësor, pagat e pamjaftueshme, pajisjet e vjetruara. Këto janë problemet kryesore me të cilat përballen sistemet shëndetësore në rajon. Ato u shfaqën veçanërisht gjatë pandemisë së koronavirusit, por alarmi mbetet i ndezur edhe në periudhën pas pandemisë.
Nëse gjatë valëve më të forta të Covid-19 i gjithë personeli shëndetësor ishte i fokusuar në tejkalimin me sa më pak pasoja, tashmë në plan të parë po dalin mangësitë që ishin vënë në plan të dytë prej kohësh. Gjermania, Austria, Zvicra dhe vendet e huaja shihen nga stafi mjekësor si shpresë.
Mijëra infermierë u larguan nga Shqipëria
Nëntëdhjetë e dy për qind e studentëve të mjekësisë në Shqipëri po mendojnë të largohen nga vendi. Këtë e ka treguar hulumtimi i Qendrës për Hulumtime Ekonomike dhe Sociale në fund të vitit të kaluar.
Kushtet e këqija të punës, mungesa e pajisjeve diagnostikuese dhe numri i lartë i dënimeve për mjekë për frymë u përmendën si arsyet kryesore. Të rinjtë, por edhe mjekët me më shumë përvojë, e shohin Gjermaninë si destinacionin më të dëshirueshëm.
Njerëzit e parë të Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë dolën me të dhëna befasuese se në 3 vitet e fundit janë larguar 16 mijë infermierë nga Shqipëria.
Mjekët e huaj pa licensë në Kosovë
Në Kosovë ndihet veçanërisht mungesa e personelit mjekësor. Në katër muajt e fundit nga Kosova janë larguar 104 mjekë. Këtë e ka konfirmuar kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu. Autoritetet besojnë se njoftimet për liberalizimin e vizave për Kosovën do të rrisin edhe më shumë largimin e personelit.
Problem tjetër me të cilin ballafaqohet sistemi shëndetësor i Kosovës është edhe kompensimi i stafit mjekësor me mjekë të huaj pa licensë.
Maqedonia e Veriut: Mjekët në rrugëdalje për shkak të partishmërisë dhe nepotizmit
Dalja e personelit mjekësor është diçka me të cilën Maqedonia e Veriut po përballet për një kohë të gjatë. Për shkak të pagave dhe kushteve më të mira të punës, mjekët dhe personeli tjetër mjekësor po kalojnë nga shëndetësia publike në atë private, por gjithnjë e më shumë po largohen për të punuar në vendet e Evropës Perëndimore. Por, vendet në rajon me standarde më të mira për punonjësit e kujdesit shëndetësor mbeten tërheqëse për personelin mjekësor nga Maqedonia e Veriut. Sllovenia është e fundit në radhë që ofron kushte të favorshme për mjekët dhe infermierët maqedonas.
Shoqëria mjekësore maqedonase para disa muajsh doli me informacionin se në një dekadë janë larguar rreth 2.000 mjekë dhe se partishmëria dhe nepotizmi po ndjekin mjekët. Në vend ka rreth 9.500 mjekë të licencuar, nga të cilët rreth 2.500 janë mjekë mbi moshën 61 vjeç.
Çdo i dhjeti mjek në Serbi planifikon të shkojë jashtë vendit
Çdo i dyti qytetar i Serbisë është i kënaqur me shërbimet që merr në institucionet shtetërore shëndetësore dhe çdo i dhjeti mjek në vend planifikon të largohet jashtë vendit në pesë vitet e ardhshme. Këtë e tregon hulumtimi i fundit i Aleancës Kombëtare për Zhvillim Ekonomik Lokal, një shoqatë e pavarur dhe jofitimprurëse e përbërë nga kompani, bashki dhe sektori joqeveritar. Shumica e mjekëve që do të qëndronin në Serbi do të punonin në shëndetësinë shtetërore.
Nga ky anketim rezulton se si problemet më të mëdha mjekët theksojnë mbingarkesat, pagat e ulëta dhe punën e tepërt administrative.
Pajisjet e vjetruara detyrojnë mjekët e BEH-së në protesta
Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik të BeH thonë se 73 për qind e punonjësve shëndetësorë në këtë vend janë pjesë e shëndetit publik. Në kujdesin parësor shëndetësor ka 87 mjekë dhe 115 infermierë për 100 mijë banorë.
Megjithatë, largimi i stafit mjekësor nuk është temë e huaj as për Bosnjë-Hercegovinën. Më shumë se një e treta e licensave vitin e kaluar ishin për largim nga vendi.
Përveç vendeve perëndimore, destinacionet e mjekëve dhe infermierëve janë edhe Australia dhe Zelanda e Re.
Pagat dhe kushtet e pakënaqshme të punës janë shkaku i pakënaqësisë së mjekëve në BeH.
Pajisjet e vjetruara në disa objekte shëndetësore tre muaj më parë kanë qenë arsyeja që mjekët të kërkojnë të drejtat e tyre përmes një proteste.
Pakënaqësia e mjekëve amë në Mal të Zi
Një problem që del në sipërfaqe në sistemin shëndetësor të Malit të Zi lidhet me mjekët amë.
Ata po reagojnë ndaj ndryshimeve të reja ligjore që sipas tyre shtojnë numrin tashmë të madh të pacientëve që duhet të marrin çdo ditë. Ata thonë se minimumi i paraparë prej 30 pacientësh në ditë është tejkaluar shumë.
Sipas ndryshimeve të fundit ligjore, mjekët amë në Mal të Zi duhet të kenë nga 2.000 pacientë secili. Mjekët besojnë se në këtë mënyrë u rritet volumi i punës, ulet cilësia dhe pagat mbeten të njëjta.