Ballkani Perëndimor po i afrohet gjithnjë e më shumë kollapsit në sektorin e shëndetësisë, si pasojë e ikjes së mjekëve. Qindra mjekë nga Ballkani Perëndimor për çdo vit ia mësyjnë Evropës, kryesisht Gjermanisë, për të ushtruar profesionin e tyre.
Arsyeja kryesore është paga shumëfish më e lartë në Perëndim, por edhe kushtet e punës në përgjithësi.
TRT Balkan ju sjell një analizë të pagave të mjekëve specialistë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Në të gjitha këto shtete kishte intervenime me rritje të pagës së mjekëve në vitet e fundit, pikërisht për shkak të numrave alarmant të eksodit. Në Kosovë madje po përgatitet një tjetër rritje për mantelbardhët.
Shqipëria me pagat më të ulëta për mjekët specialistë
Në pesë vitet e fundit Shqipërinë e kanë braktisur mbi 850 mjekë. Pagat e ulëta janë ndër arsyet kryesore që detyrojnë mjekët shqiptarë të gjejnë punë larg vendlindjes.
Në Shqipëri, mjekët specialistë paguhen rreth 940 euro në muaj. Qeveria me një vendim të posaçëm gjithashtu kompenson me rreth 130 euro mbi pagë punën e mjekëve që atashohen nëpër spitale në qytete të tjera të Shqipërisë, jashtë vendbanimit.
Shqipëria po tenton të forcojë meritokracinë gjatë përzgjedhjes së mjekëve nëpërmjet portalit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, “Mjekë për Shqipërinë”. Sipas Qeverisë, ky portal paraqet një mekanizëm transparent dhe meritokratik për punësime në sistemin shëndetësor publik.
Mjekët në Kosovë presin tjetër rritje të pagave
Në Kosovë po përgatitet një ligj i ri për pagat në sektorin publik, ku mjekët do të kenë sërish rritje, pas rritjes së fundit të vitit 2019.
Aktualisht, një mjek specialist në Kosovë merr pagë prej 1.195 eurove, ndërsa me rritjen eventuale mund të shkojë mbi 1.400 euro. Paralajmërimet janë se Ligji i ri i Pagave në Kosovë, që përfshin të gjithë sektorët publikë, do të miratohet deri në fund të vitit.
Autoritetet shpresojnë se rritja e pagave do të ndalë hovin e shpërnguljes së mjekëve. Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, sipas Federatës të Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, mbi 600 mjekë e kanë braktisur Kosovën në 5 vitet e fundit.
Mjekët specialistë në Shkup, më të paguar se kolegët në Prishtinë e Tiranë
Nga viti 2020 Maqedonia e Veriut ka rritur pagat e mjekëve specialistë. Tani mjekët specialistë në Qendrën Klinike marrin rreth 1.620 euro, ndërsa paga mesatare e mjekëve specialistë në spitalet e përgjithshme është rreth 1.400 euro.
Kujdestaritë gjithashtu paguhen mbi pagë dhe varësisht nga numri i kujdestarive, mjekët marrin të hyra shtesë përveç pagës.
Megjithatë, edhe pse me paga pak më të mira krahasuar me kolegët nga Kosova e Shqipëria, edhe nga Maqedonia e Veriut mjekët po ikin masivisht.
Sipas Odës së Mjekëve, në pesë vitet e fundit vendin e kanë braktisur gjithsej 568 mjekë.
Eksod drejt mirëqenies financiare dhe dinjitetit profesional
Pagat e majme që arrijnë deri në 4.000 euro në Evropë nuk janë arsyeja e vetme që i frymëzon mjekët për shtegëtim. Nga sindikatat e mjekëve në rajon thonë se mjekët janë të pakënaqur edhe nga kushtet e përgjithshme për punë.
Një sfidë tjetër është edhe siguria e mjekëve. Në gjithë rajonin denoncohen dhjetëra raste të dhunës fizike ndaj mjekëve për çdo vjet.
Dhuna ndaj tyre kalon pa një trajtim rrënjësor dhe sistematik nga qeveritë, për të siguruar ushtrim të dinjitetshëm të profesionit nga mjekët.
1 Nën 2022
Drejt Evropës për paga dhe dinjitet, vazhdon eksodi i mjekëve nga Ballkani
TRT Balkan ju sjell një analizë të pagave të mjekëve specialistë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
TRT Balkan
Lajme të ngjashme
BeH dhe Shqipëria në top 5 vendet në botë me diasporën më të madhe
Pas shpërbërjes së RSF të Jugosllavisë, në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, shumë emigruan nga vendet e Ballkanit në kërkim të një jete më të mirë. Në pjesën më të madhe, popullsia emigroi në një nga vendet më të zhvilluara të Evropës.
Artikujt në këtë kategori
Fico-Vuçiq në Beograd: Sllovakia dhe Serbia mund të mbështeten mes vete
"Serbia me të vërtetë e meriton ndihmën e Bashkimit Evropian në këtë fushë sepse është kërkuese dhe e kushtueshme", tha Fico dhe shtoi se Serbia e ndihmoi dhe po e ndihmon BE-në në migrim në atë mënyrë që pak vende të tjera mund ta bënin.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore